PARASHIKIMI I ÇUDITSHËM/ Superkompjuteri i Opta-s shpall favoritin kryesor për fitimin e Champions-it
Pas përfundimit të ndeshjeve të para çerekfinale të Ligës së Kampionëve, superkompjuteri i Opta-s ka përditësuar parashikimet për fituesin e kompeticionit më prestigjioz europian për klube. Modelet e tij statistikore, që simulojnë 10 mijë herë rrugët e mundshme drejt finales së madhe të 31 majit në “Allianz Arena”, kanë sjellë një ndryshim të madh në renditje.
Arsenali është tashmë favorit absolut për ta fituar trofeun, pas suksesit mbresëlënës 3-0 kundër kampionëve në fuqi të Real Madridit në “Emirates Stadium”. Ekipi i Mikel Arteta ka kaluar nga 15.6% në 27.8% shanse për triumf, duke dominuar renditjen. Sipas Opta-s, londinezët kanë tashmë 95.7% mundësi për të kaluar në gjysmëfinale, ndërsa për Real Madridin, që shfaqet në vështirësi të mëdha, shanset për ta mbrojtur titullin janë tkurrur ndjeshëm në vetëm 0.9%.
Në ndjekje të afërt të “Topçinjve” qëndron Barcelona, që pas një shfaqjeje spektakolare dhe fitores 4-0 ndaj Borussia Dortmundit, ngjitet në vendin e dytë me 25.9% probabilitet për ta fituar Champions League.
Në podium ngjitet edhe PSG, që me fitoren 3-1 ndaj Aston Villa në ndeshjen e parë i ka rritur ndjeshëm kuotat. Tashmë, skuadra e Luis Enrique ka 91.5% mundësi për të kaluar në gjysmëfinale dhe 21.9% për të fituar trofeun, duke e konsoliduar pozicionin e saj mes pretendentëve.
Në vendin e katërt është pozicionuar Interi i Simone Inzaghit, që ka treguar forcë dhe pjekuri në fitoren e rëndësishme 2-1 në Bavari, ndaj Bayern Munich. Zikaltërit kanë rritur ndjeshëm shanset për sukses, duke u ngjitur në 19.8% për fitimin e titullit europian. Për më tepër, ata kanë 82% mundësi për t’u kualifikuar në gjysmëfinale dhe 41.5% për të arritur në finalen e madhe në Mynih.
Ndërkohë, për Bayern Munich, situata është përkeqësuar ndjeshëm. Pas disfatës në shtëpi, probabiliteti për triumf është rrëzuar në vetëm 3%, duke reflektuar momentin delikat që po kalon skuadra gjermane.
Edhe pse superkompjuteri i Opta-s ka një bazë të fortë analitike, historia e futbollit ka treguar se asnjë algoritëm nuk mund të parashikojë dot emocionet dhe surprizat që ofron Champions League. Në fillim të sezonit, sipas këtij superkompjuteri, favorit ishte Manchester City, por sot, skenari ka ndryshuar krejtësisht. Dhe në këtë garë, gjithçka mbetet e hapur.

