Seedorf: Goditjen e Declan Rice nuk ka Supermen që e pret
Pas humbjes së rëndë 3-0 ndaj Arsenalit në ‘Emirates Stadium’, Thibaut Courtois nuk u fsheh.
Portieri i Real Madridit, i rikthyer në portë pas një dëmtimi të gjatë, komentoi me një ndershmëri çarmatosëse përgjegjësinë e tij për golin e parë të pësuar nga Declan Rice, që erdhi nga një goditje dënimi e drejtpërdrejtë.
“E marr përsipër përgjegjësinë. Mendoja se e kisha vendosur mirë murin mbrojtës.
Zakonisht vendos një lojtar më shumë, por kësaj here mendova se Rice nuk do ta godiste aq mirë topin.
Dhe megjithatë… shënoi një super gol. Edhe i dyti ishte shumë i bukur,” – pranoi Courtois për Movistar pas ndeshjes.
Clarence Seedorf analizoi episodin në studion e Prime Video:
“Rice e lexoi mirë situatën. Muri ishte vendosur keq: vetëm katër lojtarë dhe shumë hapësirë e lënë bosh.
Courtois gaboi, por gjithsesi duhet ta godasësh topin siç duhet. Merita i takon Rice. Askush, as Superman-i, nuk do ta kishte pritur atë goditje.”
