Sfida ndaj Barcelonës, Kovac tregon për Flick: Ishte asistenti im, tani do të sfidohemi në Champions
Barcelona dhe Borussia Dortmund do të përballen sonte në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve në “Montjuic”, por ndryshe nga faza e grupeve, këtë herë në pankinën verdhezi do të jetë Niko Kovac. Një ribashkim mes “mësuesit” dhe “nxënësit”, pasi kroati 53-vjeçar ka qenë mentori i Hansi Flick, trajnerit aktual të Barcelonës, te bavarezët në vitin 2019.
Në një intervistë për “Mundo Deportivo”, Kovac ka thënë fjalë lavdërimi për homologun e tij të Barcelonës: "Hansi është një trajner i shkëlqyer. Që atëherë dukej se kishte cilësi për të u bërë një trajner i mirë".
Me Barcelonën në krye të La Liga-s, finalist të Kupës së Mbretit dhe në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, rrugëtimi i Flick deri tani te skuadra katalanase ka qenë i përsosur. "Jam shumë i kënaqur me mënyrën se si po shkojnë gjërat për të. Për Hansi mund të them që është një punëtor i madh, metodik dhe di ta menaxhojë shumë mirë grupin", – shtoi Kovac.
Mbi përballjen e parë si kundërshtarë: "Do të jetë bukur, sepse kemi punuar bashkë. Hansi ka qenë asistenti im dhe tani do të sfidohemi ballë për ballë (në Ligën e Kampionëve)".
Sa i përket menaxhimit të dhomës së zhveshjes te Barcelona, “Mundo Deportivo” ka treguar për metodën e punës të Flick, me një sjellje të butë, elegante dhe të matur në publik, por njëkohësisht një person që ka përdorur dorën e hekurt disa herë dhe ka ngritur zërin.

