Inzaghi, pasi mundi Bayern Munich: Një nga fitoret më të bukura, por na duhet vazhdimësi
Interi fitoi 2-1 në “Allianz Arena”, në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve. Një rezultat pozitiv ndaj Bayern Munich, por edhe hap i madh drejt kualifikimit, po të kemi parasysh kthimin në “San Siro”, para tifozëve të zjarrtë zikaltër.
Trajneri Simone Inzaghi u shpreh pas triumfit në fushën e gjigantëve bavarezë: "Pa dyshim që është një nga fitoret më të bukura, por duhet t’i japim vazhdimësi kësaj paraqitjeje. E di që duhet t’i falënderoj këta djem, sepse edhe sonte më dhanë gjithçka.
Patëm disa mungesa dhe pikërisht për këtë arsye, kur dëgjoj të flitet për zëvendësime, më vjen inat. Është grupi i Interit që na ka mundësuar të arrijmë më 8 prill duke luftuar për gjithçka. Është i gjithë grupi i lojtarëve, bashkë me klubin tone, meritor për këtë ecuri pozitive.
Kushdo që hyn në lojë, hyn për të dhënë ndihmën e tij. Mendoj se janë alternuar mirë, më thoni mua çfarë të doni për zëvendësimet, por lërini djemtë rehat. Kemi lojtarë me vlera të jashtëzakonshme".

