Monitorimi i fushatës, Zannier takim me Krasniqin. AMA apel medieve për zbatimin rigoroz të Kodit Zgjedhor

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi priti në një takim ambasadorin Lamberto Zannier, shefin e misionit të OSBE/ODIHR për vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 majit dhe analisten e mediave, Elma Sehalic.

Gjatë takimit Krasniqi iu përgjigj interesit të tyre mbi përgatitjet që ka bërë AMA për mbarëvajtjen e procesit të monitorimit të mbulimit të fushatës elektorale nga OSHMA-të.

Në shërbim të këtij procesi janë trajnuar monitoruesit, sipas kërkesave që parashikohen në Kodin Elektoral dhe sipas Metodologjisë së Monitorimit që ka hartuar KQZ.

Krasniqi tha se “janë marrë të gjitha masat teknike, logjistike dhe administrative për të bërë maksimumin në këtë proces. Bashkëpunimin me KQZ-në e kemi filluar që në muajin Janar të këtij viti, për monitorimin e aktiviteteve, të cilat Komisioni i ka konsideruar si të ndaluara”.

Misioni i OSBE/ODIHR-it u interesua mbi aspekte të veçanta të procesit monitorues, për ndarjen kohore mes subjekteve garuese, për reklamat politike që transmetohen, për prezantimin e sondazheve zgjedhore etj.

Krasniqi tha se gjetjet e monitorimit të OSHMA-ve publikohen periodikisht në faqen zyrtare të KQZ-së.

“Në këto të dhëna kanë qasje, jo vetëm partitë politike dhe OSHMA-të, por edhe çdokush i interesuar për këtë informacion. Shumica e subjekteve që angazhohen për ecurinë dhe dinamikën e fushatës elektorale, organizata, institucione e individë, i referohen gjetjeve të AMA-s mbi mënyrën se si OSHMA-të e mbulojnë gjatë gjithë muajit këtë proces”, tha Krasniqi.

APELI I AMA-s

Monitorimi i fushatës, Zannier takim me Krasniqin. AMA apel medieve

Në prag të nisjes së fushatës së partive politike për zgjedhjet e 11 majit, Autoriteti i Mediave Audiovizive u kujtoi sot të gjitha medieve audio dhe audiovizive  nevojën për profesionalizëm dhe kërkesën për zbatimin rigoroz të kërkesave të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi në një postim në rrjetet sociale tha se “në këtë proces shumë të rëndësishëm, mediat audio dhe audiovizive janë pjesë përmes mbulimit të dinamikës së garës mes subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, në çdo cep të vendit”.

“Transmetimet audio dhe audiovizive me rolin dhe ndikimin e tyre, do të jenë një hapësirë e dobishme që ndjekësit të njihen më mirë dhe në mënyre të detajuar mbi alternativat e propozuara, mbi strategjitë dhe programet për zhvillimin e Shqipërisë.  Ato janë ndihmë për qytetarët, sidomos ata me të drejtë vote, që të kuptojnë më qartë të përbashkëtat dhe diferencat mes pikëpamjeve dhe zotimeve mbi çka ndodhur, ndodh, apo dhe atë që pritet, duke e bërë fushatën sa më kuptueshme dhe transparente për qytetarët”, theksoi Krasniqi.

Sipas saj, që prej vitit 2021 AMA është angazhuar me monitorimin e mbulimit të fushatës zgjedhore nga OSHMA-të.

Krasniqi informoi se Autoriteti do ta kryejë këtë detyrë, bazuar në kërkesat e Kodit Zgjedhor, apo akteve të tjera të miratuara nga KQZ.

“Në komunikim të përditshëm me KQZ-në, gjetjet ditore, javore apo raporti fundor i 30 ditëve, do të raportohen në KQZ dhe të dhënat do të publikohen periodikisht në faqen zyrtare të këtij institucioni. Duke iu referuar mënyrës së mbulimit nga OSHMA-të të zgjedhjeve të kaluara, u vunë re edhe raste ku disa prej tyre nuk i ruajtën raportet kohore të mbulimit të aktiviteteve të subjekteve politike pjesëmarrëse, nuk respektuan limitin e volumit të reklamave politike, nuk sollën në AMA përmbajtjet e regjistruara kur u janë kërkuar dhe të tjera shkelje, AMA u kujton të gjitha redaksive nevojën për profesionalizëm dhe kërkesën për zbatimin rigoroz të kërkesave të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, tha Krasniqi.

Ajo shprehu besimin dhe pritshmërinë që OSHMA-të do të angazhohen me raportime profesionale dhe etike, në respektim të kërkesave të Kodit, por dhe në respekt të interesimit dhe vëmendjes së shtuar të ndjekësve mbi procesin zgjedhor të 11 majit.