Prag-fushata/ Bregu: Ja tre veçoritë që i bëjnë zgjedhjet e 11 majit atipike
Për profesorin e Gazetarisë, Zylyftar Bregu, zgjedhjet parlamentare të 11 majit janë atipike.
I ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, Bregu u shpreh se tre janë faktorët që iu bëjnë të tilla këto zgjedhje.
Së pari theksoi ai, në këto zgjedhje për herë të parë marrin pjesë në votime edhe emigrantët.
Po ashtu, kemi angazhimin e Prokurorisë së Posaçme në monitorimin dhe hetimin në kohë reale të krimit zgjedhor.
Dhe po ashtu, shkaku i tretë është statusi penal i krerëve të opozitës, ku kemi Sali Berishën nën hetim dhe Ilir Metën në burg.
" Po e filloj që nga fakti i një absurdi ligjor. Pse them absurd ligjor. Sepse sipas ligjit që i'u jep të drejtën emigrantëve të votojnë, ata kanë të drejtën të regjistroheshin deri më datën 5 mars. Që do të thotë që gjithë ky proces pavarësisht se është ekstra ligjor, është një fushatë zgjedhore.
Krimi elektoral nëse ka ndodhur, ka ndodhur në këtë hapësirë ekstra fushatës, deri në datën 12 prill.
Veçoria e tretë është statusi juridik i drejtuesve kryesor të opozitës, Zotit Berisha që është në hetim dhe zotit Ilir Meta. Mjaftojnë këto veçori që të themi që jemi në zgjedhje atipike.
Mendoj që nuk janë të fokusuar tek ekonomia, sidomos mazhoranca. Pra, kryetari i PS është më i fokusuar në anëtarësimin e BE-së, sipas të cilit procedura do të përfundojë në vitin 2027 dhe anëtarësimi i plotë në vitin 2030. Në analizen time kjo nuk është një premtim elektoral i qenësishëm për disa arsye.
Së pari, sepse anëtarësimi i Shqipërisë në BE varet nga reformat që do të bëj Shqipëria por në fund të fundit është Bashkimi Europian që ka dinamika brenda vetes dhe ka zhvillime që do të pranojë apo s'do të pranojë Shqipërinë. Mund të ketë 1000 çështje që nuk varen nga Shqipëria.
E dyta, e parë në një këndvështrim tjetër qeverisja duhet të jetë e fokusuar tek problemet së brendshmi, suksesi i të cilave garanton integrimin e Shqipërisë në BE. Nuk mundet që procesi të jetë me drejtim të kundërt që të integrohemi në BE dhe pastaj të rregullojmë punët e brendshme, sepse deri sa të ndodh kjo kam frikë që në skajet e Shqipërisë nuk do të ketë më njerëz", u shpreh Bregu.
