Rama me bizneset e transportit në Portin e Durrësit: Trashëguam koncesionin absurd për skanerët në dogana
Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot koncesionin për skanerët në pikat doganore si koncesionin më të gabuar dhe më absurd që është trashëguar nga qeverisja e mëparshme.
Kryeministri Rama dhe ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj ishin sot në portin e Durrësit, ku zhvilluan një takim me përfaqësues të bizneseve të transportit.
Ndërsa u njoh me shqetësimet e tyre për rastet e vonesave me fluksin e ngarkesave dhe masat që duhen marrë për të shtyrë përpara eksportet shqiptare, Kryeministri Rama u ndal te koncesioni për skanimin e mallrave në pikat doganore dhe problematikat që sjell ky koncesion.
“I qëndroj po të njëjtës gjë. Ky është koncesioni më i gabuar i mundshëm që mund të imagjinohet. Një koncesion atipik të cilin ne e kemi trashëguar. Nuk e kemi pasur të mundur ta godasim për shkak të aktit që ashtu siç është kopsitur do të na krijonte një kosto shumë të lartë në arbitrazh”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se qeveria është munduar ta vërë në shfrytëzim dhe të lehtësojë koston.
“Kemi bërë një negociatë dhe e kemi ulur nga 45 euro në 22 euro, por gjithsesi mbetet një koncesion i gabuar totalisht sepse skanimi i kamionëve nuk është nevoja juaj është e shtetit. Shteti e bën skanimin e kamionëve për punën e vet jo tuajin, për çështje të luftës kundër kontrabandës etj, por kjo është detyra e shtetit jo e juaja. Shteti nuk do të thotë ‘unë do bëj detyrën time ti më jep lekët të bëj detyrën time’. Ndërkohë që shteti i merr paratë nga taksat”, shtoi Rama.
Sipas tij, “këtë koncesion absurd e kanë bërë pikërisht ata që i vënë gishtin qeverisë për koncesionet”.
“Ne kemi bërë koncesione që shkojnë në favor të qytetarëve. Kemi bërë një Partneritet Publik Privat për sterilizimin e pajisjeve mjekësore, por nuk ja kemi ngarkuar pacientëve që të paguajnë. Kemi bërë analizat laboratorike por nuk ja kemi ngarkuar pacientëve që të paguajnë. Janë partneritete që japim shërbim shumë më të mirë dhe ndërkohë paguhen në një afat shumë më të gjatë në pamundësi që këtë gjë ta bëjë shteti menjëherë”, tha Rama.
Ndërkohë që në rastin konkret Rama tha se “jemi para një situate që do të zgjasë deri në vitin 2030”.


