FOTO-LAJMI/ Erion Veliaj, banor i Durrësit, humbet mandatin e kryebashkiakut të Tiranës. Eksperti: Ligji përcakton zgjedhje të parakohshme
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu, thotë se Erion Veliaj me burgosjen e tij ka humbur dhe mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Logu shpjegon dhe arsyen ligjore të zhveshjes nga pushteti i Veliaj, ndërsa thekson se Këshillit Bashkiak të Tiranës nuk i mbetet tjetër veçse të njoftojë Këshillin e Ministrave, i cili ia përcjell njoftimin Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
SHPJEGIMI I MARASH LOGUT

Erion Veliaj humbet mandatin e kryetarit të Bashkisë Tiranë!
Neni 61, pika 1, gërma "c", e Ligjit nr. 139/2015 "Për vetëqeverisjen vendore", i ndryshuar, parashikon se mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur kryetari nuk është më banor i përhershëm i bashkisë ku është zgjedhur.
Duke qenë se tashmë Erion Veliaj nuk rezulton më si banor i Bashkisë Tiranë, por si banor i Bashkisë Durrës, kjo do të thotë që ai automatikisht humbet mandatin e kryebashkiakut të Tiranës.
Këshillit Bashkiak të Tiranës nuk i mbetet tjetër veçse të njoftojë Këshillin e Ministrave, i cili ia përcjell njoftimin Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

