Trenova: Veliaj ushtron pushtet edhe nga burgu, përgjimet treguan se si media kontrollohet nga politika

Avokati Gent Trenova ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me mënyrën se si Erion Veliaj, kanë arritur të ushtrojnë pushtet edhe kur ndodhet në ambientet e paraburgimit.

I ftuar në emisionin ‘Task-Forcë’ në SYRI TV, me Sonila Meçon, Trenova theksoi se Veliaj ka mundur të ndikojë në media duke dhënë urdhra dhe krijuar presion, një sjellje që ka qenë e pranishme edhe gjatë periudhës kur Veliaj ka udhëhequr Bashkinë e Tiranës.

Sipas avokatit, kjo sjellje e kryetarit të Bashkisë që ndodhet në burg, është një fenomen që tregon një thyerje të rëndë etike të medias, e cila ka qenë e gatshme të manipulojë opinionin publik dhe të pasqyrojë lajme të rreme, duke u kontrolluar nga politika. Mirëpo sipas tij, kjo sjellje është kuptuar edhe nga publiku, i cili ka kuptuar se cilat media janë kapur nga politika dhe kush jo.

Gent Trenova: Ata edhe kur janë në ambientet e paraburgimit, të izolimit, arrijnë të krijojnë pushtet dhe jashtë institucioneve të paraburgimit, pra në masën arrest me burg. Ata arrijnë të ushtrojnë presion qoftë në media apo institucione të tjera, japin urdhra dhe duke treguar që kjo mënyrë sjelljeje ka funksionuar gjatë gjithë kohës, edhe kur ka qenë drejtues i Bashkisë së Tiranës. Kur nuk ka patur kujdes edhe në një ambient paraburgimi që mund të ketë qenë në përgjim dhe nuk ke patur shumë njerëz, kjo vijë sjellje ka qenë në mënyrë të vazhdueshme nga ana e Erion Veliaj dhe në kohën kur ka qenë Kryetar Bashkie. Madje mund të ketë qenë edhe më i avancuar, më agresiv.

Për publikun, kjo është një gjë shumë e mirë, për të kuptuar edhe sesi një pjesë e medias kontrollohet, sesi marrin urdhra politikë për të goditur dhe kjo tregon që ka një thyerje të rëndë etike të medias. Media normal mund të ketë një pozicionim majtas apo djathtas, nuk ka asgjë të keqe, por një media nuk duhet të marrë porosi apo urdhra nga politika sesi duhet të pasqyrojë lajmin, apo si duhet ta japë lajmin. Ose si të japë lajme të rreme apo të manipulojë opinionin publik, por duhet media vet të japë lajme me iniciativën e vetë.

Në një farë mënyre, edhe publiku e mori vesh se kush janë mediat, kush është media që blihet dhe porositet nga politika për të nxjerrë lajme të pavërteta. Nuk e di nëse ka arritur ta kuptojë Erion Veliaj apo bën sikur, sepse në perceptimin tim, gjithë kjo, arrestimi i Veliajt ka qenë një luftë e brendshme e vetë linjave politike. Sepse vetë fakti që para dhjetorit, nga ana e prokurorisë nuk janë bërë hetime intensive. Vetëm dy muajt e fundit pati një intensitet të prokurorisë, që siç duket ka marrë një urdhër politik për të bërë një hetim intensiv, për ta hetuar në një mënyrë të hollësishme rastin e Veliajt.