GJKKO urdhëroi hetim për Xhaçka-Gaçi/ Pullazi: Nuk kam informacion. Le ta zgjidhë drejtësia, fokusi ynë është fitorja e PS

Në Shqipëri ka 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore të lidhura me trafikun e kokainës dhe me tregjet ndërkombëtare të krimit.

Raporti i publikuar sot nga SPAK-u për vitin 2024 flet për një depërtim në gjyqësor, në prokurori, në polici dhe media me struktura mbi baza familjare dhe miqësore në qarqet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Elbasanit dhe Vlorës.

Ajo për të cilën nuk flet SPAK-u është depërtimi në politik edhe pse ndër rreshta pranohet presioni nga krimi i organizuar dhe politika.

Teksa deklaroi se 33 ish-zyrtarë të lartë janë në hetim, ka 328 procedime penale, se janë përgjuar mbi 3000 telefona, 65 milion euro janë asetet e bllokuara, Prokuroria e Posacme nuk jep asnjë shifër për hetimin e krimeve zgjedhore, asnjë dosje dhe lidhje konkrete të këtyre grupeve me politikën.

PD që e ka ngritur edhe më herët këtë shqetësim, i është drejtuar Prokurorisë së Posacme lidhur me ngritjen e task forcës për hetimin e krimeve zgjedhore dhe kërkon informacione sesa hetime ka nisur SPAK-u për këto krime, së paku që nga janari i këtij viti kur u nis edhe nisma.

Një vendim i GJKKO-së së shkallës së parë, i marrë më 28 shkurt dhe i zbardhur së fundmi, urdhëroi  Prokurorinë e Posaçme SPAK të regjistrojë një procedim penal ndaj deputetes socialiste Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj Artan Gaçi, investitor strategjik, mbi dyshimet për “Shpërdorim të detyrës”, “Falsifikim  të dokumenteve” dhe pastrim parash, të kryera në bashkëpunim.

Për të folur në lidhje me këtë temë, i ftuar në emisionin "Ora e Betit" ishte kandidati i PS, Florian Pullazi.

" Unë njoh vetëm një listë që është zonja Xhaçka, është lista e kandidatëve për deputetë të PS. Të them të drejtën nuk kam shumë informacion për çështjen si është problematika.

Unë vetë e mbështes reformën në drejtësi, mbështes institucionet e drejtësisë, SPAK-un e gjithë institucionet e tjera që janë në shërbim të vendosjes në drejtësi, por gjithmonë mendoj dhe për prezumimin e pafajësisë.

Është një aspekt shumë i rëndësishëm që ne duhet ta trajtojmë dhe t'ia lëmë drejtësisë të merret me çështjet e veta.

Unë di që zonja Xhaçka është kandidate për deputete si puna ime dhe 36 kolegëve të tjerë që jemi në listën që përfaqësojmë Partinë Socialiste në qarkun e Tiranës.

Fokusi im dhe i 36 kandidatëve të tjerë është maksimalizimi i votës për PS dhe kjo është detyra jonë për të parë një rezultat sa më të mirë për PS. 

Gjërat e tjera do i'a lëmë drejtësisë", u shpreh Pullazi.