Malaj: Shtyhet deri nesër afati për dorëzimin e DIVA 2024 dhe deklaratës së tatimfitimit
Ministri i Financave, Petrit Malaj bëri të ditur sot, përmes një postimi në rrjetet sociale, se afati i fundit i dorëzimit të Deklaratës së Tatimit mbi Fitimit dhe Deklaratës së të Ardhurave Vjetore, DIVA 2024 do të jetë dita e nesërme, 1 prill dhe jo sot, 31 mars siç ishte lajmëruar më herët.
Sipas Malajt, duke qenë se dita e sotme është pushim zyrtar, për shkak të festës së Fiter Bajramit, Administrata Tatimore e ka shtyrë me një ditë afatin e dorëzimit të DIVA 2024 dhe Deklaratës së Tatimit mbi Fitimit, ndërkohë që detyrimin e deklarimit do ta kenë të gjithë ata individë që realizojnë mbi 1,2 milionë lekë të ardhura në vit, nga mbi 2 milionë që ishte më përpara.
Praktikisht të gjithë ata që marrin mbi 100 mijë lekë në muaj pagë bruto duhet të plotësojnë formularin e deklarimit të të ardhurave. Deklarimi duhet të bëhet edhe nga të gjithë të dy punësuarit, pavarësisht nivelit të pagave.
Detyrimin për të deklaruar e kanë edhe të gjithë ata individë që realizojnë të ardhura nga burime të tjera mbi 50 mijë lekë në vit për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim.
Këto ndryshime bëhen në kuadër të formatizimit të tregut të pagave dhe rritjes së kontrollit mbi qarkullimin e parasë. Parashikohet që numri i deklaruesve të DIVA 2024 të jetë mbi 144 mijë individë.

