Kursi këmbimit valutor, euroja rikthehet në 100 lekë pas më shumë se një viti

Pas më shumë se një vit rënie euro është rikthyer sërish në rritje. Madje 7 muajsh në nivelin e 99 lekëve, euroja u këmbye për herë të parë në nivelin e 100 lekëve në janar 2025. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë ky ka qenë niveli më i lartë për 3 muajt e parë të këtij viti por duke qëndruar në një stabilitet me 99 lekë.

Nëse krahasojmë ecurinë e euros 2023-2024 monedha europiane ka pësuar një rënie të konsiderueshme ndaj lekut duke humbur rreth 13% te vlerës se saj.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në janar të vitit 2023 euro këmbehej me 115 lekë duke zbritur në  99 lekë për euro në dhjetor të 2024.

Tendenca e përgjithshme e vitit ka qenë në forcim të vazhdueshëm të lekut.

Ndërkohë të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në tregun e brendshëm valutor në vitin 2024 janë blerë afërsisht 933 milionë euro.

Ndikim në këtë situatë kanë pasur investimet e huaja por edhe turizmi. Ekspertët shprehen se me nisjen e sezonit veror dhe sidomos nga qershori dhe deri në fund të shtatorit pritet që sërish të ketë forcim të monedhës vendase kjo edhe për flukset e monedhave të huaja që vijnë nga pushuesit.