Ardit Bido i përgjigjet PD: Doktor dole prapë bllof, shihemi në Kuvendin e Shqiptarëve
Kandidati i PS-së për Vlorën në listën e hapur dhe drejtori i Arkivës së Shtetit, Ardit Bido, ka mohuar akuzat e PD, e cila kërkoi sot që KQZ ta përjashtojë nga lista e PS-së, pasi ky i fundit bën fushatë për deputet duke qenë ende në detyrë.
Përmes një video të publikuar në rrjete sociale, Bido thotë se PD nuk e përjashton dot me teknikalitete, ndërsa pretendoi se nga ana e tij nuk ka asnjë shkelje.
Sipas Bidos, këto pretendime janë një mashtrim i orkestruar nga Fredi Beleri dhe synojnë të krijojnë konfuzion.
Bido thotë se ligji për nëpunësin civil përcakton se titullarët e institucioneve pezullohen me akt të Departamentit të Administratës Publike dhe sipas tij ky akt ekziston në KQZ që prej datës 12 mars.
Bido thotë më tej se vetë ai i ka deleguar kompetencat, siç e parashikon ligji, te zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, deri në kthimin në detyrë të titullarit.
Deklarata e plotë e Ardit Bidos:
PD e Belerit që e ka zënë halli se i del që do më ketë përballë në parlament e s’ka nga të fshihet më, doli për të dytën ditë radhazi në konferencë për shtyp vetëm kundër meje nga mbi 180 kandidatë të PS në këto zgjedhje, duke bërë bllofin e radhës.⛔️
Thanë që nuk kam hequr dorë nga drejtor i Përgjithshëm i Arkivave, se as dinë të lexojnë ligjin e as të shohin dokumentet: aktin e pezullimit nga DAP që mban datën 12.03.2025, pra një ditë para se të kandidoja! S’ka habi: kështu është kur niveli intelektual i këshillimit të PD është ai i dijetarit të madh Fredi Beleri????
Doktor, mos dil më bllof! Sa herë të flasësh, aq herë do më gjesh përballë me të vërtetat historike e aktuale siç do jemi përballë në parlamentin e shqiptarëve, ti me aleancën e antishqiptarisë madhështore e unë me pastërtinë time!????
Për ditën e dytë rresht, Partia Demokratike del në konferencë zyrtare për shtyp vetëm kundër një kandidati, kundër meje. Duket se i ka zënë frika se çfarë do ta gjejë nesër “Aleancën e Antishqiptarisë Kombëtare të Madhe, Madhështore”, kur të gjendet përballë meje në foltoren e Kuvendit të shqiptarëve.
Doli sot zëdhënësja e PD-së dhe tha që Ardit Bido nuk ka dhënë dorëheqjen, duhet që KQZ-ja ta përjashtojë. Nuk më përjashtoni dot me teknikalitete, sepse ju nuk dini të lexoni ligjin. Ju nuk dini të kërkoni dhe të shihni dokumentacionin.
Ligji për nëpunësin civil përcakton se titullarët e institucioneve pezullohen me akt të Departamentit të Administratës Publike. Po të donit, e kishit parë në KQZ që ky akt ekziston prej datës 12 mars. Si njeri i përgjegjshëm, pak para këtij akti, delegova kompetencat, siç e parashikon ligji, te zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, deri në kthimin në detyrë të titullarit; qofsha ai unë, qoftë dikush tjetër.
Por, kur ekspertizën ligjore, ekspertizën ekonomike, ekspertizën e të gjitha fushave e merr nga njerëz të cilët janë me brumë të lartë intelektual, si Fredi Beleri, këtu do të përfundosh.
Doktor, të lutem, dita e dytë, mos dil më bllof! Mos dil më bllof! Do të shihemi në Parlament dhe do të flasim përballë, ashtu siç na takon: një njeri i cili nuk i fshihet pas gishtit asnjë të vërtete dhe një njeri i cili ndryshon qëndrimet sipas interesit të radhës. Shihemi në Kuvendin e shqiptarëve!

