Qendra e Monitorimit të Trafikut, Balluku: Investim inovator për sigurinë rrugore
Shqipëria po bëhet gati të aplikojë një sistem inteligjent të monitorimit të trafikut rrugor.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, ndau në rrjete sociale pamje të Qendrës së Monitorimit të Trafikut rrugor, një investim që i përgjigjet kërkesave të BE-së për sa i takon kontrollit të trafikut rrugor në Shqipëri.
“Po vjen. Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut, inovacion për sigurinë rrugore”, shkroi Balluku.
Objekti i QMT shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 1500 m2 mbi tokë, ndërsa 500 m2 të tjerë janë ndërtuar nën tokë dhe do të shërbejnë për vendosjen e serverave dhe materialeve teknike.
Në këtë qendër do të punojnë ekipe të disa prej skuadrave të institucioneve që kanë lidhje me transportin rrugor. Sistemi parashikon vendosjen e kamerave dhe sensorëve të teknologjisë së fundit dhe të një serë pajisjesh të tjera teknologjike, në akset më të frekuentuara dhe në fazën e parë, do të mbulohen 200 km rrugë, për t’u zgjeruar në të ardhmen në monitorimin e 3600 km, apo dhe më shumë.
Zbatimi i kësaj strategjie ndihmon që korridoret kryesore të transportit të Shqipërisë të bëhen pjesë e një sistemi të sigurtë, të integruar dhe multimodal të transportit ndërevropian.
Në QMT përfshihen 6 institucione, të cilat do të operojnë në një vend sipas fushave të përgjegjësisë, ku pa dyshim Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë rol të rëndësishëm.
Ky investim inovator i shërben monitorimit shtetëror të trafikut dhe sigurisë kombëtare.
