PL, 12 mandate më 11 maj! Meta: Për Veliajn, SPAK-u s'kishte nevojë për 365 faqe, por i mjaftonte firma e tij në vitin 2017 për incineratorin e Tiranës

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dhënë një intervistë me shkrim për emisionin Opinion në TV Klan, i cili është përshtatur për transmetim me zë e figurë përmes inteligjencës artificiale.

Ish-Presidenti është pyetur nga gazetari Blendi Fevziu lidhur edhe me zgjedhjet e 11 Majit. Sipas Metës, Partia e Lirisë synon që të fitoi 12 mandate në këto zgjedhje, duke veçuar kështu edhe qarqet ku kanë më tepër pritshmëri.

Intervista e plotë e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhënë dje për emisionin “Opinion”

1.Z. Meta, përse vendosët që ta hiqni emrin tuaj nga lista e sigurt në një listë të hapur?

Përgjigje: Unë e kam deklaruar publikisht në Konventën e Tiranës në mesazhin tim me audio se do jem në listë të hapur në Qarkun e Tiranës dhe ndër më të votuarit.

Natyrisht ka qenë një kërkesë e Kryesisë së PL, por edhe sugjerim i arsyeshëm i drejtuesve të PD, për të qenë në listë të mbyllur duke pasur në konsideratë izolimin tim ekstrem dhe pamundësinë për të bërë një fushatë në kushte të barabarta apo të pranueshme.

Por unë s’mund të pranoja kurrsesi për çdo arsye, se në vitin 2008 kam bërë grevë urie në Parlament, bashkë me disa kolegë kundër ndryshimeve Kushtetuese të cilat sollën edhe listat e mbyllura  të Kryetarëve që e kanë dobësuar kaq shumë parlamentarizmin, llogaridhënien dhe përfaqësimin e qytetarëve.

Ky është gjithashtu  një rast i mrekullueshëm për të arritur një rekord të ri  të panjohur, për t’u zgjedhur deputet nga Qelia Nr.5.

Dhe unë e di se pavarësisht nga vështirësia ekstreme për të bërë fushatë, rezultati do jetë përtej çdo parashikimi optimist sot.

2. Ju nuk bëni dot fushatë se jeni në izolim. A e shihni këtë si një problem?

Përgjigje: Por të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë e dinë përse unë jam në këtë izolim ekstrem dhe absurd.

Të gjithë e dinë se rrëmbimi im kriminal ishte për të frikësuar ata dhe jo mua.

Natyrisht, u inskenua dy javë para fitores së pritshme, sipas tyre, të Soros në SHBA në mënyrë që kukulla e tij atje të dilte në Zoom të falënderonte Kryeministrin kukull të Sorosit këtu për  përparimet e mëdha në fushën e drejtësisë dhe arrestimet në nivelet më të larta. Kjo do të ndodhte gjatë prezantimit të një libri në Tiranë.

Shqiptarët e dinë shumë mirë se unë jam më i lirë këtu në Qelinë Nr. 5 se sa ata janë jashtë kësaj Qelie ku intimidohen, bullizohen e nëpërkëmben çdo ditë nga një bandë që nuk njeh as Kushtetutë dhe asnjë normë njerëzore.

Ndaj shqiptarët në 11 Maj do të votojnë për Lirinë e tyre në rradhë të parë dhe një votë masive për Ilir Metën do të jetë për këtë arsye.

3. PL duket që të ketë një firo të madhe. A keni frikë se ajo do jetë më inferiore se sa rezultati i LSI në 2021?

Përgjigje: Kjo pyetje më shton humorin i dashur Blendi. Nëse PL ishte keq, pse duhej rrëmbyer në mënyrë kriminale Ilir Meta? Unë kam qenë në hetim nga Altin Dumani që në Dhjetor 2019 me porosi të Ramës e Mc Gonigalit.

Asnjëherë unë nuk i jam shmangur drejtësisë  dhe as SPAK- ut. Çështja Cez – Dia i takon vitit 2010 dhe është gjykuar brenda vendit dhe në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë dhe s’ka asnjë lidhje me mua.

Ajo ka qenë një marrëveshje midis CEZ ( kompania publike e Cekisë) dhe DIA një kompani private. Po kështu është e provuar që kjo lidhje  është krijuar përmes partneres amerikane të Z. Ismaili e s’kishte asnjë lidhje me personin tim.

Po kështu dihet që me Z. Ismaili kam pasur shoqëri që nga viti 1993 ose 1994, ashtu siç dihet që me ty kam luajtur që fëmijë te oborri i shkollës së Kuqe, por as unë dhe as ti nuk mbajmë përgjegjësi për njëri – tjetrin, por vetëm për veten.

Ndaj të jesh i bindur i dashur se rezultati i PL  do jetë surprizë dhe mos harro se të kam surprizuar edhe herë të tjera. Si psh. Kur të dhashë parashikimin në garën që Sapi Nano në KPD pas zgjedhjeve për Kryeministër.

Ose në 2013 kur më pyesje gjithmonë a do i merrnim 71 – 72 mandate, pasi sipas rezultateve të 2009 dhe sondazheve, kaq ishte maksimumi. Apo në 2017 kur pas 17 Majit Edi dhe Luli u bënë bashkë për të shuar LSI dhe ajo u shua me 19 mandate dhe 230 mijë vota. Por këtë surprizë jam i bindur që s’do e harrosh se është nga Qelia Nr. 5.

4. Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Përgjigje: Pritshmëritë e mia janë të qarta. Koalicioni ynë mbi 80 mandate dhe PL 12 mandate ( pra 4 + 8)

5. Rama duket se po shkon drejt një fitoreje të 4 – tërt. Është aftësi e tij apo paaftësi e opozitës?

Përgjigje: Rama po shkon drejt humbjes së sigurtë. Ai ka fituar vetëm një palë zgjedhje, por vetëm për shkak të koalicionit me LSI në 2013.

Pastaj dihet, ai bashkë me Mc Gonigalin kishin marrë peng me dosjen ruse atë që të gënjente edhe për orën, i cili i shiti zgjedhjet e 2017 dhe të 2021 dhe dogji mandatet për t’ia dhënë gjithë pushtetin dhe Drejtësinë Edi Ramës, madje dhe të gjitha bashkitë.

Pra Rama s’ka fituar zgjedhje, por ka blerë lidershipin e opozitës dhe garat ishin të shitura. Tani është krejt ndryshe. Shiko listën e Tiranës të kuptosh sa i sigurt është Rama në humbjen e tij.

Dikur e vendoste veten të 8 – tin në DR. se kishte krijuar skemën perfekte me bandat e tij të grabitjes të votës. Ndërsa tani i pari në bunkerin e Tiranës.

Shiko edhe listën e hapur në Tiranë, ku të gjithë ata që i kujtonin PS – në e vjetër i ka bërë dalje përfundimisht në mënyrë që askush të mos i kërkojë llogari nesër, ndoshta përveç Z. Gjuzi.

6. Ku janë qarqet që PL ka më shumë pretendime?

Përgjigje: PL synon dhe do fitojë 8 mandate në 8 qarqe të vendit ( për arsye se në 4 nuk ka kandidatë për shkak të sakrificave që kërkon koalicioni).

Por rezultatet tona do jenë fantastike në qarkun e Tiranës, një përmbysje spektakolare në qarkun e Beratit me Z. Lefter Maliqi dhe padiskutim në Lezhë me Viktor Tushën, një personalitet I spikatur  e plot contribute, në qarkun e Korcës me Dr. Genti Calën, një mjek i jashtëzakonshëm dhe intelektual i nivelit më të lartë, në Durrës me një kampion të mirënjohur të atletikës si Adriatik Hoxha, në Fier me kryekëshilltarin tonë Arben Cuko, në Elbasan me Z. Dashamir Xhika një ndër themeluesit e parë të LSI dhe qershia në tortë Këshilltarja jonë në Bashkinë Shkodër Znj. Elmira Ndërvashaj.

Por prioritare për PL dhe mua është vota për koalicionin, sepse sa më e thellë  fitorja, aq me i madh numri i mandateve, aq më i lartë propabiliteti për PL për të fituar mandatin  e saj në cdo qark , kjo vlen edhe për PDIU, PBDNJ, PR etj.

7. A e besoje në vitin 2000, kur Rama ishte ministër i yti, që ai do dominonte politikën kaq gjatë?

Përgjigje: Nuk e kam besuar kurrë se Shqipëria do kthehej kaq prapa sa ka tre vjet që nuk zgjedh as Avokatin e Popullit, apo që Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ti drejtohet Venecias se kur i mbaron mandati, apo se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do betoheshin te noterja te Lana, siç ndodhi në vitin 2019, apo që bashkëmoshatari ynë, Arben Ahmetaj, do shkonte azilant në Zvicër se donin ta bënin me pahir kurban për inceneratorin që nuk ekziston dhe për të cilin ai vërtet s’ka asnjë faj.

Por tani këto ndodhën dhe secili ka përgjegjësitë e veta dhe secili do të marrë atë që i takon.

Por personalisht jam në atë pozicionin e Çobanit që nuk është i zhgënjyer me ujkun që i hëngri delet, por me qenin që u bashkua me ujkun kundër deleve. Kontrollori i kontrollorëve është sfida më e madhe për çdo drejtues, por edhe që sistemi të mos degradojë. Po kështu s’duhet të harrojmë se në nivelet e larta s’ka gabime, por tradhti.

8. Si është jeta juaj në izolim? Me se merreni gjatë ditës?

Përgjigje: Dita ime është fantastike. Më duket sikur jam në kavalishencë. Gjithë ditën lexoj dhe shkruaj. Po kështu tre herë në ditë bëj lëvizje dhe stërvitje si kurrë më parë.

Për herë të parë në jetën time kam mësuar të gatuaj, se kurrë s’kam gatuar në konvikt. Kam mësuar gjëra të jashtëzakonshme që do më ndihmojnë shumë për të ardhmen. Nuk e konsideroj kohë të humbur, por kohë të fituar.

Dhe natyrisht që kam parë se sa njerëz të pafajshëm ndodhen këtu vetëm që dikush të mburret me statistika të cilat vrasin jetë njerëzish  dhe familjarësh.

Duhet një reform e vërtetë në sistemin e burgjeve dhe paraburgimit, pasi mbi 60% e njerëzve këtu ose janë të pafajshëm ose mund të hetoheshin në gjendje të lirë, pranë familjarëve të tyre.

Duhet rishikuar Kodi Penal dhe gjithë politika Penale, e cila lejon shumë abuzime në interpretim dhe shkatërron jetë njerëzish, për të cilat askush nuk mban përgjegjësi.

Po kështu duhen dyfishuar pagat e policisë së burgjeve, sepse kanë një punë me shumë tension dhe paga skandaloze. Përvecse edhe vaktin e premtuar prej kohësh nuk e marrin. Harrova të të them se në ping–pong jam më mirë se kurrë në jetën time duke mundur edhe sportistë nga Nigeria.

9. Arrestimi juaj pati shumë kritika. Por policia u mbrojt me idenë që ju e kundërshtuat atë. Eshte e vërtetë?

Përgjigje: Cila polici? Ajo me maska apo pa maska? Po pse policë ishin ata? Ata ishin vetëm banditë me maska, pa numër identifikimi, që nuk u prezantuan, por vetëm ulërinin dhe që nuk paraqitën asnjë copë letër të firmosur nga SPAK-u ose vetë policia e shtetit.

Po kështu, ajo që ju keni parë në videot e shpërndara nga Edi Rama, ishte vetëm një sekuencë përfundimtare e gjithë asaj maskarade kriminale.

Sepse ajo skenë bllokimi të trafikut  e të kontrollit të makinave ka ndoshur për minuta të tëra, të paktën 200 metra para makinës time që ju shihni dhe ne s’po kuptonim cpo ndodhte , nëse këto ishin forca special që po kërkonin ndonjë bos të kartelit të Sinaloas apo këta ishin banditë të vërtetë  që kishin dalë për grabitje.

Janë dhjetra e qindra qytetarë dëshmitarë të atij terrori që përfundoi te makina ime me ulërima dhe automatikë të rëndë. Ndërkohë që unë kisha lajmëruar në Facebook konferencë shtypi dhe në orën 14:00 më pristë për drekë një Ambasador i një vendi të BE.

Ndërkohë që unë s’kisha asnjë gardist në makinë dhe ata kishin lajmëruar që unë isha në Prevallë për fundjavë, ku bëra edhe shumë postime në rrjetet sociale. Si mund të ketë justifikime për një akt të tillë? Vetëm banda e Sorosit mund te pjellë justifikime të tilla. Do e marrin përgjigjen në 11 Maj. Pastaj kam dy pyetje për ju?

Si nuk u gjend një makinë policie për të futur ish – Presidentin e Republikës, por e rrëmbyen me makinë private? Po kështu, këta banditë që pretendojnë se u shanë e kishin më të lehtë të hynin me kamera profesionale në një makinë ku askush nuk kishte armë apo me automatikë të rëndë? Ndaj në 11 Maj do të jetë një Referendum kundër kësaj bande kriminale.

10. A vijoni ende të besoni se ish – bashkëshortja juaj ka bashkëpunuar ose i ka dhënë dokumente SPAK?

Përgjigje: Unë jam shumë i qetë se askush se ka mundësinë të më tradhtojë për arsyen më të thjeshtë se nuk ekziston asnjë dokument dhe asnjë akt ligjor i Ilir Metës në 33 vite jetë publike dhe private.

Po të ekzistonte një i tillë jo vetëm s’do kishit parë atë skenë kriminale rrëmbimi, që as prindërit e një vrasësi nuk e meritojnë ta shohin në televizor për fëmijën e tyre, por do kishte nisur gjykimi me kohë.

A keni dëgjuar gjë ju që Ilir Metës i kanë sekuestruar ndonjë lek apo euro apo garsionere? Tradhëtarët i përdorin të gjithë, por edhe i neverisin të gjithë. Ah po, që ka njerëz që kanë qenë në LSI dhe janë marrë peng nga SPAK, këtë e di e gjithë Partia e Lirisë. Një prej tyre është edhe në listën për deputet të “Rilindjes”.

I thirrur disa herë në SPAK për lobimet për shkak të detyrave të tij, por edhe se mbulonte edhe financat e LSI. A kishte në LSI persona që pas hetimeve të SPAK- ut bënë cdo gjë për të minuar Partinë e Lirisë duke vendosur edhe përgjuesa në seli?

Po, këtë e dinë të gjithë. A u bënë përpjekje nga këta për të sabotuar Konventën e PL kundër nepotizmit në 27 Prill të vitit të kaluar? Po dhe dështuan me sukses. A kishte në PL nga ata që thoshin se Meta do arrestohet sot e nesër ndaj mos e mbështesni se nuk e duan amerikanët (Soros)? Po kishte.

Po nga ata që pas arrestimit të Metës thërrisnin anetarë të KDK për të shkarkuar Tedi Blushin “ agjentin rus”, a kishte? Po, por ata ishin dhe mbeten sufllaqexhinj të pavlerë dhe të pander, që kanë qenë një kosto shumë e madhe për mua dhe Partinë e Lirisë.

Ata tani janë fiks në partinë e tyre të njerëzve pa dinjitet dhe pa karakter, që kurrë s’kanë besuar në një ideal apo ide.

11. Rama ka hedhur së fundmi disa akuza ndaj SPAK. Berisha ka qenë gjithnjë kritik. Ku qëndron sipas jush forca e SPAK kur dy liderët kryesorë duken kundër?

Përgjigje: Me cfarë ka thënë z. Veliaj për Kolegët e tij të SPAK- ut na e ka bërë të pamundur të bëjmë kritika për SPAK- un. Por kishte disa vargje Majakovski. Kur themi Partia, nënkuptojmë Lenin dhe kur themi Lenini nënkuptojmë Partia.

Ndaj kur themi SPAK- u, nënkuptojmë Rama (Agaci) dhe kur themi Rama (Agaci) nënkuptojmë SPAK.

Për Veliajn SPAK-u nuk kishte nevojë për 365 faqe, por i mjaftonte vetëm një faqe, pikërisht firma e tij në vitin 2017 për inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston.

Ndërsa për Ramën do mjaftonte vetëm një firmë, ajo e shpalljes së kompanisë fituese kur ende nuk kishte lindur,( regjistruar).

Me fitoren e 11 Majit, Drejtësia i kthehet shinave kushtetuese dhe Veneciane, ndërsa për Edi Ramën premtojmë process të rregullt ligjor, transparent e të monitoruar nga organizatat ndërkombëtare.

12. Sa e vështirë është të kalosh nga President, Kryeministër, Kryetar Partie në i burgosur në qelinë Nr.5?

Përgjigje: Isha i përgatitur për këtë që do të ndodhte dhe i kisha paralajmëruar të gjithë miqtë e mi të vërtetë. Ndaj Konventën e 27 Prillit e organizova befasisht e po kështu edhe ndryshimet statutore e programore në një kohë rekord.

Jam i bindur që Qelia ime mban Nr.5 sepse më kujton cdo ditë 5 Prioritetet për 4 milionë shqiptarë plus, programin aq konciz e thelbësor të PL.

Gjatë krizës së Kosovës për dy muaj në Kukës kam kaluar  situate shumë më të vështira, kur flija në zyrën e Prefektit duke vendosur dy kolltuqe tek përballë njëri – tjetrit. Këtu më duket lule.

13. Cfarë të kanë mësuar këto muaj izolimi?

Përgjigje: Në korridoret e burgjeve kam takuar njerëz shumë më me vlera dhe karakter se në  “ korridoret” e politikës. Po kështu kam kuptuar e ndjerë atë që thoshte  Musine Kokalari, se Lirinë duhet ta kërkojmë brenda vetes.

Dhe unë fatmirësisht ndihem i lirë. Një mëngjes kur hyra te salla e pingpongut lexova në tabelë që ishte shkruar: "I lir means Freedom". Falenderova edhe një herë nënën time që zgjodhi këtë emër për mua.