Fushata elektorale mes sfidave dhe paragjykimeve/ Julinda Dhame: Mora guximin të futem në garë dhe të përfaqësoj qytetarët

Opozita ka humbur shumë gara elektorale, me akuza për shitblerje votash dhe manipulime zgjedhore, pa njohur asnjë fitore të mazhorancës, e cila kësaj here kërkon edhe virtualisht mandatin e katërt.

Videot qesharake në rrjetet sociale si prologu i degradimit të fushatës elektorale po trajtohen me gallatë. Njerëzit po tallen dhe po e marrin me humor këtë fenomen dhe shyqyr që ia arritëm kësaj dite mund të themi.

Natyrisht me koston e vëmendjes së vëmendjes nga thelbi, nga problemet reale, nga nevojat jetike të shqiptarëve dhe një alternative serioze qeverisëse.

Ajo që dihet me siguri është se edhe në këtë fushatë do të mungojë debati politik mes dy rivalëve kryesor.

Pavarësisht ftesës së përsëritur edhe sot nga Sali Berisha, kryeministri Edi Rama e refuzon përballjen televizive me kundërshtarin siç ka bërë gjithë këto vite duke na lënë ende shijen e të vetmes përballje reale mes kundërshtarëve në debatin Nano-Berisha.

Për të folur rreth kësaj teme, e ftuar në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News", ishte Julinda Dhame, kandidate e PS në Tiranë.

"Unë nuk është se pranova sfidën por u futa në këtë sfidë. Mora guximin të isha pjesë e platformës "Deputeti që duam". Të them të drejtën jam paragjykuar shumë sepse meqë kam qenë në parti, kam punuar për shumë fushata por aty ishte e lirë për të gjithë. Megjithëse ishin shumica të rinj, nuk e ndjeva këtë presion por jam mësuar me këtë pjesën kur më thonë "jo", unë them "pse jo". Kjo është motoja ime dhe në këtë fushatë.

Jam e nderuar që jam pjesë e kësaj gare. Unë shkoj tek njerëzit që njoh, që kam punuar, që kam pasur një eksperiencë pune apo terreni dhe shkoj shumë lirshëm dhe në fund fare kur i pyes për probleme dhe për zgjidhje, në fund fare e kam pak të vështirë të them 'votoni për mua'", u shpreh Dhame.