Olimpiada, Imane Khelif: Do të shkoj në Los Anxhelos, politikat e Trump nuk më trembin
Imane Khelif ka konfirmuar se është e gatshme të udhëtojë në Los Anxhelos në vitin 2028 për të mbrojtur medaljen e artë të fituar në Paris në turneun olimpik të peshave ‘welter’: "Mezi pres të shkoj në Los Anxhelos 2028 për të mbrojtur të artën e Parisit", tha boksierja algjeriane gjatë një interviste për britanikët e ITV, pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar njoftoi se boksi do të përfshihet në programin e Lojërave të ardhshme Olimpike në Los Anxhelos.
"Çfarë mendoj për politikat antitransgjinore të Trump? Unë nuk jam transgjinore - theksoi ajo -. Kjo çështje nuk më prek dhe nuk më tremb".
Presidenti i Shteteve të Bashkuara kohët e fundit ka lëshuar një urdhër ekzekutiv që ndalon pjesëmarrjen e atleteve transgjinore në garat femërore dhe më pas një tjetër kundër pranisë së transgjinorëve në ushtri, i cili u bllokua nga një gjykatës federal në Uashington.
Rasti Khelif dhe polemikat e mëdha
Khelif ishte në qendër të një polemike të madhe lidhur me identitetin e saj gjinor gjatë Lojërave të fundit Olimpike, pasi një vit më parë ishte skualifikuar nga Kampionati Botëror i Boksit për Femra. Shoqata Ndërkombëtare e Boksit (IBA) kishte pretenduar se atletja ishte testuar me një analizë të ADN-së, e cila kishte treguar praninë e kromozomeve XY.
Megjithatë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e mohoi këtë pretendim, duke sqaruar se skualifikimi lidhej me nivelet e larta të testosteronit në gjak.
Gjatë Olimpiadës, përmes presidentit Bach, u rikonfirmua se Khelif ishte grua në çdo aspekt.
IBA, duke përdorur të njëjtat argumente, e përjashtoi atë edhe nga Kampionati Botëror i vitit 2025.
Boksierja algjeriane kishte ngritur padi kundër atyre që e kishin cilësuar si transgjinore, përfshirë Elon Musk dhe J.K. Rowling, të cilët ndezën një fushatë urrejtjeje ndaj saj në rrjetet sociale.
"Siç themi në Algjeri, kush nuk ka asgjë për të fshehur, nuk ka pse të ketë frikë.
E vërteta u bë e qartë në Lojërat Olimpike të Parisit: padrejtësia u zbulua dhe e vërteta u njoh nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Unë e konsideroj veten vajzë, si të gjitha të tjerat. Kam lindur si grua dhe gjithmonë kam jetuar si grua", përfundoi 25-vjeçarja.
