Depay rikthehet në Kombëtare pas tetë muajsh, synon 100 paraqitje me Holandën

Për herë të parë që nga Kampionati Europian 2024, Memphis Depay është rikthyer në Kombëtaren e Holandës për dy sfidat kundër Spanjës në çerekfinalet e Nations League.

"Sa herë që vij këtu, ndiej presion. Gjithmonë ka njerëz që dyshojnë dhe mendojnë se gjërat duhet të jenë ndryshe.

Këtë e dëgjoj çdo vit. Nuk kam pritshmëri të mëdha, përpiqem të jap maksimumin dhe të shijoj çdo moment.

Në fund të ndeshjes do të shohim se çfarë kam arritur të sjell për ‘Oranje’.

Për momentin, ende ndiej se kam vlerë. Sigurisht, nuk kam luajtur për një kohë, por nuk ndiej se jam më pak i aftë se më parë."

Më pas, ai foli edhe për përvojën e tij në kampionatin brazilian:

"Kur shkova në kampionatin brazilian, të gjithë pyesnin: 'Çfarë do të bëjë Memphis?' Një ekip në rrezik rënieje është gjithmonë shqetësues.

Por brenda dy muajsh e përmbysëm të gjithë situatën. Në fund, ishte falë cilësive të mia si futbollist që trajneri i Kombëtares vendosi të vinte në Brazil dhe të shihte gjithçka nga afër.

Kjo është diçka që e vlerësoj shumë. Nuk ishte një zgjedhje e lehtë.

Gjatë karrierës sime kam luajtur për disa klube të mëdha, por më ka pëlqyer kjo aventurë. Sigurisht, kishte një rrezik.

Klubi ishte shumë prapa konkurrentëve, nuk e dinim çfarë të prisnim, kishim vetëm një parandjenjë dhe dëgjuam për rëndësinë e klubit. Por nuk e njihnim strukturën dhe konkurrencën.

Në fund, bëra hapin e madh.

Mendoj se kampionati brazilian është ndër pesë më të mirët në botë. Mbështetemi ekskluzivisht te talenti, shpirti luftarak dhe forca fizike.

Kushtet e lojës janë të ndryshme. Pas çdo ndeshjeje peshohemi dhe humbas tre kilogramë brenda një ore e gjysmë.

Kampionati vetëm do të rritet në vitet e ardhshme. Shohim gjithashtu që të gjithë talentet largohen për në Evropë.

Personalisht, jam befasuar dhe mendoj se përshtatet me historinë time. Stadiumet janë gjithmonë të mbushura. Kam luajtur përpara 100,000 njerëzve në ‘Camp Nou’ ose 90,000 në ‘Old Trafford’, por ajo që përjetojmë këtu është krejtësisht ndryshe."

Depay është pranë arritjes së një rekordi të ri simbolik në historinë e futbollit holandez.

Nëse luan të dyja ndeshjet kundër Spanjës, ai do të arrijë shifrën e 100 paraqitjeve me Kombëtaren e Holandës.

Kështu, ai do të bashkohej me një grup shumë ekskluziv të lojtarëve të "Oranje", ku përfshihen Wesley Sneijder (134 ndeshje), Edwin van der Sar (130), Frank de Boer (112), Rafael van der Vaart (109), Daley Blind (108), Giovanni van Bronckhorst (106), Dirk Kuyt (104), Robin van Persie (102) dhe Philip Cocu (100).