Alessandro Del Piero paralajmëron Napolin: Nëse dëshiron të fitosh titullin, 10 gola të Lukakut janë pak
Alessandro Del Piero, legjenda e Juventusit dhe ish-sulmues i kombëtares italiane, ka shprehur mendimin e tij për garën e titullit në Serie A. Ai ka bërë një analizë mbi mundësitë e ekipeve të ndryshme.
Gjatë intervistës për “Sky Sport”, pas fitores së Interit ndaj Atalantës (2-0) në “Gewiss Stadium”, theksoi: "Unë ende e llogaris Atalantën në garën për titull. Siç tha Beppe (Bergomi), ka ende shumë ndeshje të vështira për t’u luajtur.
Atalanta ka treguar se mund të bëjë seri fitoresh, por sigurisht Interi është më i fortë se të tjerët. Mund të bëjmë të gjitha analizat që duam, por Simone Inzaghi ka në dispozicion një skuadër më të thellë, më të plotë dhe më të maturuar".
Për Napolin, ish-kapiteni bardhezi tha se ka hasur disa vështirësi, duke u fokusuar në rolin e Lukakut dhe ndikimin që ka pasur krijimi i mundësive për gola: "Ekipet e tjera kanë disa vështirësi, si Napoli. Ndoshta gjithçka mund të rregullohet, por të kesh golashënuesin më të mirë me vetëm 10 gola, që është Lukaku, është pak nëse dëshiron të fitosh titullin.
Ne prisnim më shumë prej tij. Po të ishte ende Kvaratskhelia te Napoli… do të ndryshonte shumë gjëra. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që skuadra të ketë 4-5-6 ndryshime, edhe nëse nuk luan në kompeticionet europiane".


