''Me Elton Qynon'', Avokati Llangozi: Mbrojtja e fjalës së lirë dhe gazetarisë investigative, çështje e të gjithëve
Me Elton Qyno
MBROJTJA E FJALËS SË LIRË DHE GAZETARISË INVESTIGATIVE ËSHTË ÇËSHTJE E TË GJITHVE
Fjala e lirë është themeli i demokracisë – sot mbrojmë Elton Qynon, nesër mbrojmë vetë demokracinë!
Nesër, më 19 mars 2025, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ankimin e gazetarit Elton Qyno kundër kontrollit të banesës së tij nga SPAK dhe GJKKO.
Ky veprim është një sulm i hapur ndaj lirisë së shtypit dhe të drejtave kushtetuese të gazetarëve, të cilët janë gardianët e së vërtetës dhe transparencës në një shoqëri demokratike.
Kontrolli i një gazetari nga një organ i drejtësisë ngre dyshime të forta për përpjekje për frikësim dhe censurë.
Nëse gazetarët nuk ndihen të sigurt për të bërë punën e tyre, atëherë kush do të mbrojë interesin publik? Kush do të zbulojë abuzimet dhe korrupsionin?
Ky është një precedent i rrezikshëm, i cili duhet ndalur tani! Sot është Elton Qyno ai që përballet me këtë shkelje të të drejtave të tij, por nesër mund të jetë çdo gazetar tjetër që guxon të bëjë gazetari investigative.
Pse kjo çështje na prek të gjithëve?
Gazetarët janë zëri i qytetarëve, dhe një sulm ndaj tyre është një sulm ndaj të gjithë shoqërisë.
Liria e shtypit është garancia e një shteti demokratik dhe të drejtë.
Çdo përpjekje për të frikësuar gazetarët është një përpjekje për të fshehur të vërtetën dhe për të mbrojtur korrupsionin dhe abuzimet me pushtetin.
Kjo çështje do të mbrohet nga avokatët Arben Llangozi dhe Dorian Matlia
Avokatët Arben Llangozi dhe Dorian Matlia do të mbrojnë këtë rast në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se:
Veprimi i SPAK dhe GJKKO ka shkelur Kushtetutën dhe të drejtat themelore të gazetarit.
Ky kontroll përbën një cenim të rëndë të lirisë së shtypit dhe një përpjekje për të krijuar frikë dhe autocensurë tek gazetarët e tjerë.
Ky rast duhet të jetë një moment reflektimi për drejtësinë shqiptare dhe për gjithë shoqërinë, për të mbrojtur median e lirë nga çdo formë presioni apo shantazhi.
Kërkojmë mbështetjen e publikut dhe të gazetarëve. Në këtë betejë, asnjë gazetar nuk duhet të ndihet vetëm! Ftojmë të gjithë qytetarët, gazetarët, shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut të reagojnë fort ndaj këtij rasti.
Sot është momenti për të treguar se në Shqipëri, liria e shtypit nuk është e negociueshme!
Bashkohuni në mbështetje të fjalës së lirë dhe drejtësisë!
Të gjithë sytë nga Gjykata Kushtetuese – mos lejoni që e drejta të nëpërkëmbet!
