Mashtrimet online dhe pasojat për konsumatorët, Teliti: Kujdes me kontratat dhe blerjet në internet

Në emisionin Alert, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, u diskutua një ankesë e ardhur në linjën e gjelbër të Qendrës Alert, e cila lidhet me një rast mashtrimi online për një kredi në Francë. Kjo çështje ishte trajtuar edhe më herët në studio, duke ngritur shqetësime mbi rreziqet që konsumatorët hasin në internet.

Drejtoresha e Qendrës Konsumatori Shqiptar, Ersida Teliti, theksoi se qytetarët duhet të jenë tepër të kujdesshëm ndaj mashtrimeve online, të cilat shpesh qarkullojnë si viruse ose skema mashtrimi. Ajo theksoi se shumica e konsumatorëve janë vulnerabël për sa i përket sigurisë në teknologji, pasi nuk kanë njohuri të mjaftueshme mbi elementët mbrojtës.

Teliti paralajmëroi se mashtrimet ndodhin në forma të ndryshme, si mesazhe që mund të përmbajnë viruse për vjedhjen e të dhënave, blerje në faqe të paautorizuara ku produkti nuk dërgohet kurrë, apo edhe kontrata të lidhura online ose përmes telefonit.

Ajo vuri theksin te grupmoshat e treta, të cilat shpesh bien pre e këtyre skemave, duke mos kuptuar plotësisht kushtet e kontratave. Në disa raste, ata jo vetëm që lidhen me një shërbim të padëshiruar, por përfundojnë edhe me kontrata kredie të fshehura, përmes të cilave detyrohen të paguajnë produktin që kanë porositur.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS”