FOTO+VIDEO/ Hapet tuneli i Murrizit, shkurtohet distanca mes Dibrës dhe Tiranës

Prej ditës së sotme, qytetarët e verilindjes së Shqipërisë do të mund të përshkojnë të plotë “Rrugën e Arbrit”, e cila lidh Tiranën me Dibrën.

Këtë të premte, Qeveria ka inaguruar tunelin e Murrizit, me gjatësi 3.8 kilometra, e cila është dhe vepra më e rëndësishme e projektit.

Tuneli kryesor ka dy korsi lëvizje me 3.75 metra si dhe trotuare me gjerësi 1.5 metra. Ai lidhet me tunelin e emergjencës me anë të 11 galerive.

Me hapjen e tunelit të Murrizit për qarkullimin e mjeteve, pas 6 vitesh punimesh, udhëtimi nga Tirana në Dibër dhe anasjelltas, pritet të jetë rreth 2 orë dhe është i ndërtuar me strukturë hekuri dhe jo guri apo gërmimi.

Ndërtimet janë kryer nga kompania “Gjoka Konstruksion”, e cila është fituese e koncesionit. Vepra nisi në vitin 2019 dhe hapja e saj u shty disa herë për shkak të tërmetit, pandemisë dhe “vështirësive gjeologjike”.

Projekti nis nga dalja verilindore e Tiranës në “Shkallën e Tujanit” drejt Maqellarës në dalje të fshatit Bllatë në kufi me Maqedoninë e Veriut për një total prej rreth 73.5km. Ai përfshinte gjashtë tunele dhe dy ura të larta.

FOTO+VIDEO/ Hapet tuneli i Murrizit, shkurtohet distanca mes Dibrës dhe

Sipas Qeverisë, kalimi në këtë aks rrugor do të jetë pa pagesë për qytetarët. Në muajin Prill pritet të inagurohet edhe segmenti rrugor Maqellarë-Peshkopi.

Rruga e Arbrit, përveçse shkurton kohën e udhëtimit dhe afron Dibrën me Tiranën, pritet të ketë ndikim edhe në zhvillimin turistik të zonave përreth, teksa shkurton edhe distancën mes Tiranës dhe Shkupit.

Rruga e Arbrit, një nga arteriet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, përfundimi i së cilës sjell një lehtësim të madh në lidhjen mes Tiranës dhe Dibrës. Ky projekt madhor ka përfshirë ndërtimin e 54 kilometra rrugë me 10 kilometra tunele dhe 1.4 kilometra ura.

Rruga e Arbrit, e cila i kushtoi buxhetit të shtetit 33.6 miliardë lekë, do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim. Rruga e Arbrit ka 7 tunele me gjatësi totale 8.5 km.

Rruga e Arbrit jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe të turizmit.

Me hapjen e tunelit të Murrizit, pritet të ulet dhe numri i aksidenteve, pasi Qafa e Murrizit ishte kthyer në një rrugë të rrezikshme, sidomos gjatë periudhave me reshje.