Hasani: Hapja e zyrës së BEI në Shqipëri, mesazh i fortë besimi për klimën ekonomike
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se hapja e zyrës së Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri dërgon një mesazh të fortë besimi për klimën ekonomike.
Në prezantimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, lidhur me hapjen e përfaqësisë së Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri”, Hasani u shpreh se, ky është një pr/ligj me rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Ky është një moment kyç për të forcuar marrëdhëniet tona me BE-në dhe për të thelluar bashkëpunimin financiar dhe zhvillimor me BEI, një nga institucionet më të respektuara në kontinent”, tha Hasani.
“Ky pr/ligj synon ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, lidhur me hapjen e përfaqësisë së Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri dhe ky hap shënon një mundësi shumë të mirë për të avancuar Shqipërinë në rrugën e integrimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, theksoi ai.
Hasani u shpreh se, marrëveshja ka një rëndësi të veçantë për vendin tonë, pasi shtoi ministri, “hap dyert për financime të tjera dhe mbështetje për projekte kyçe që do të kontribuojnë për rritjen ekonomike dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve tanë”.
“Hapja e një zyre të kësaj banke në Tirana është një mundësi për të përshpejtuar realizmin e projekteve strategjike si infrastruktura, energjia e rinovueshme, dixhitalizimi, kujdesi shëndetësor apo arsimi”, u shpreh Hasani.
Gjithashtu, shtoi ai, “kjo marrëveshje synon mbështetje për sektorët që janë prioritete për qeverinë shqiptare, si mbështetje për biznese te vogla përfshirë sipërmarrjet e grave”.
“Prania e BEI në Shqipëri dërgon një mesazh të fortë besimi për klimën ekonomike dhe përkushtimin e qeverisë shqiptare për zhvillimin e qëndrueshëm”, tha Hasani.
“Ky hap do të krijojë mundësi të reja për përshpejtimin e reformave dhe për rritjen e integrimit rajonal, duke kontribuuar në përparimin gjithë Ballkanit perëndimor”.
BEI do të ofrojë financim dhe asistencë teknike duke siguruar që projektet strategjike të realizohen në kohë dhe sipas standardeve ndërkombëtare.
Në planin politik hapja e kësaj zyre është një tjetër mundësi për konsolidimin e marrëdhënieve dhe forcimin e partneritetit tonë në BE.
Ky është një sinjal i qartë se Shqipëria është një partner i besueshëm dhe është në rrugën e duhur drejt integrimit të plotë në BE.
