Veliaj në burg, avokati: SPAK nuk paraqiti asnjë provë të re! Presim që Gjykata e Lartë të bëjë ndonjë "çudi"
Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi masën arrest me burg për Kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, pas dy seancave maratonë. Gjyqtari që dënoi ish-ministrin Tahiri, shpalli sot vendimin duke e lënë Veliajn në qeli, ku mbahet prej më shumë se një muaji nën akuzë për korrupsion pasiv e pastrim të parave.
Veliaj kërkonte masë më të butë sigurie edhe kundrejt garancisë pasurore, por kërkesa u rrëzua nga Pëllumbi. Pas seancës, avokati Maks Haxhia tha se SPAK nuk solli asnjë provë të re dhe se nuk mudn të lihet në burg personi më i votuar në Shqipëri.
"Nuk mund të aplikohej masa e arrestit me burg për njeriun më të votuar në Shqipëri dhe t’i thuash je person i rrezikshëm. Rrezikshmëria e personit është e lidhur me argumentin dhe mund për të kryer vepra të tjera penale, vepra të rrezikshme, ato që dëmtojnë jetën dhe shëndetin. Kurse këto lloj veprash penale me karakter administrativ.
Është i njëjti material që ka qenë edhe në Gjykatën në Shkallë të Parë. Initmidim nuk është term procedural, term procedural është të prishësh provat. Presim që të ndodhë ndonjë çudi në Gjykatën e Lartë për ndryshimin e masës së sigurisë sepse nuk mund të mbahet në burg kryuebashkiaku me këto rrethana", tha Haxhia.

