Komisionerja për Zgjerimin zbarkon në Tiranë, Marta Kos takim me Kryeministrin Rama

Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos ka nisur vizitën e saj zyrtare në Tiranë. Kos e nisi vizitën e saj me një takim në zyrën e Delegacionit të BE-së në Tiranë.

"Fillim fantastik i vizitës sime në Shqipëri! Ndalesa ime e parë: Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri - për të falënderuar ekipin tim të jashtëzakonshëm për punën e tyre të palodhur për të forcuar lidhjet, për mbështetjen e progresit në reformat kyçe dhe afrimin e Shqipërisë çdo ditë më pranë familjes së saj evropiane", shprehet Kos në platformën sociale "X".

Dhe pas kësaj ndalese, Komisionerja Kos vijoi me takimin me Kryeministrin Edi Rama në Kryeministri.

Pas takimit mes Ramës dhe Kos dhe delegacioneve respektive, në orën 10.40, do të mbahet konferenca e përbashkët për mediat.

Kos po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë në datat 12-14 mars, duke shënuar misionin e saj të parë zyrtar në vend.

Kjo vizitë do të shërbejë si një rast për të diskutuar me autoritetet shqiptare mbi gjendjen e procesit të anëtarësimit në BE, veçanërisht progresin në reformat themelore dhe në drejtësi.

Komisionerja për Zgjerimin zbarkon në Tiranë, Marta Kos takim me

Vizita do të jetë gjithashtu një mundësi për të përcjellë rëndësinë e konsolidimit të arritjeve përmes rezultateve të mëtejshme të prekshme, në përputhje me natyrën e bazuar në merita të procesit.

Ndër të tjera, Komisionerja do të takohet me kryenegociatoren për integrimin në BE, Majlinda Dhuka dhe me kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali.

Gjatë vizitës në Shqipëri, Komisionerja Kos do të angazhohet gjithashtu me institucionet e pavarura shqiptare të drejtësisë, deputetë, duke përfshirë përfaqësues nga opozita, si dhe me organizata të shoqërisë civile.

Si pjesë e misionit të saj, Komisionerja Kos do të vizitojë tre projekte të financuara nga BE në Elbasan, ku do të angazhohet me sipërmarrje sociale të mbështetura nga asetet e konfiskuara nga krimi i organizuar, do të angazhohet me gra viktima të dhunës me bazë gjinore dhe shkëmbime me studentë të rinj që marrin pjesë në programin e shkëmbimit të shkollave të Ballkanit Perëndimor, i cili mbështet pajtimin dhe mësimin ndërkulturor dhe dialogun.