“Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”, Rama: Transformim i jashtëzakonshëm
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Tirana pagëzohet zyrtarisht si kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025”.
Në fjalën e tij në aktivitetin e organizuar “Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”, Rama tha se “është vërtetë një kënaqësi e veçantë që sot ne jemi mbledhur këtu për një tjetër moment simbolik dhe domethënës në historinë bashkëkohore të qytetit tonë të kryeqytetit të Shqipërisë”.
Duke iu referuar një shprehjeje të Eqerem Çabej, i cili shkruan se “Nëse do të njohësh një komb ec në rrugicat e kryeqytetit të tij”, Rama tha se “sot nuk është edhe aq lehtë të ecësh në rrugicat e kryeqytetit tonë për arsye të një transformimi të jashtëzakonshëm që është transformimi më i madh që kryeqyteti ka njohur në historinë e tij, edhe pse në rastin e Tiranës krahasimi me origjinën dhe me të kaluarën është jo i vështirë për të treguar se sa larg, se sa lart je ngjitur, pasi ndryshe nga të tjera kryeqytete rreth nesh Tirana është një kryeqytet shumë i ri dhe më një histori shumë herë më pak të pasur sesa historia e kryeqyteteve të tjera rreth nesh”.
“Sot ato rrugica dhe rrugët e Tiranës në tërësi janë dëshmitare të një transformimi të jashtëzakonshëm dhe nga ana tjetër edhe fakti që Tirana për të katërtin vit me radhë zgjidhet si një ndër kryeqytetet ku diçka i mbetet ta mbajë në formën e një pishtari të ndezur.
Në vitin 2022 ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë, në 2023 Kryeqyteti Evropian i Sportit, në 2024 Kryeqyteti i Turizmi dhe këtë vit Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut do të thotë ekzaktësisht që këtë transformim nuk e shohim vetëm ne që duam ta shohim sepse ka edhe nga ata që nuk duan ta shohin, por e shohin edhe të tjerët të cilat na kanë parë si kemi qenë, na shohin si jemi dhe gjithmonë e më shumë na respektojnë dhe na admirojnë për sa shumë kemi arritur të bëjmë.
Duke pasur parasysh që kur dolëm nga errësira e thellë e Koresë së Veriut në mes të Evropës ishim shumë më mbrapa të gjithë atyre të tjerave që sot përpiqemi të afrohemi edhe më pas të krahasohemi”, tha Rama.
