Çela: Oferta e të dy subjekteve kryesore të vjetra politike nuk është e sinqertë, kërkojmë lista të hapura dhe reformë zgjedhore
Vetëm dy ditë na ndajnë nga momenti ku ligjërisht mbaron afati i dorëzimit të listave të kandidatëve për deputet, që subjektet në garë do të duhet të dorëzojnë me qëllim që të nisë procesi i vlerësimit të tyre dhe ti çelë rrugën në këtë mënyrë fushatës që vjen për zgjedhjet e 11 majit.
Nga një vlerësim paraprak duket se partitë janë ende në ngërcin e këtij momenti, por pa dashur të hyjmë në një gjykim për secilin emër nuk duket se kanë bërë gati lista surprizuese për qytetarët, apo lista me emra që qytetarët të mund të mrekullohen për shkak të vlerave që përfaqësojnë ata që do të mund të gjejnë atje.
Sot, për të diskutuar për këtë sfond paraprak, se për çfarë po ndodh praktikisht, i ftuar në emisionin "Drejt", në "Ora News', ishte bashkëthemeluesi i lëvizjes "Shqipëria Bëhet", Ervis Çela.
"Ne i kemi mbyllur listat. Sigurisht ne sot nuk kemi emrat, por ne flasim në parim për piketën sesi çdo subjekt zgjedhor, çdo parti po i vendos dhe po i bën ato.
Pra, thamë një subjekt ka instrumentin e primareve, tjeteri po diskuton drejtuesit e qarqeve, deputetët që kanë një mandat, dy mandat nuk do të jenë.
Unë gjykoj dhe mendoj se oferta e të dy subjekteve kryesore të vjetra politike nuk është e sinqertë. Ne jemi koshientë që u nis reforma zgjedhore dhe në këtë reformë zgjedhore ne kemi paraqitur atje draft ligjin për ndryshimet në Kodin zgjedhor, përsa i përket listës së hapur, depolitizimit të administratës zgjedhore dhe sistemi zgjedhor që të jetë propocional kombëtar, në mënyrë që vota të marrë peshën e saj specifike siç është e përcaktuar në kushtetutë që të jetë e barabartë", u shpreh Çela.
