Xhaferri: Ata që i detyruan arsimtarët të patronazhojnë votën e diasporës t’i kursejnë urimet hipokrite këtë 7 Mars!

Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Besart Xhaferri thotë se: "Dita e Mësuesit i gjen arsimtarët shqiptarë në ditët më të vështira, ku dinjiteti i tyre është nëpërkëmbur nga drejtorë patronazhistë që  në vend të diplomës së Shkollës së Drejtorëve në CV kanë shkruar statusin si komisionerë zgjedhor të Rilindjes.

Janë këta drejtorë që me direktivë të partisë prej javësh ushtruan presion të paprecedentë për arsimtarët shqiptar, duke u kërkuar të sjellin listat me emrat e familjarëve të tyre në emigrim që do votojnë në 11 Maj, madje duke u kërkuar edhe kodin në regjistrimin PER.

Ky akt solli një revoltë në diasporë, pasi emigrantët refuzuan këtë skenar të një krimi elektoral të mirëorganizuar.

Pavarësisht këtij skandali që e kam denoncuar prej javësh SPAK dhe Prokuroria kanë zgjedhur indiferencën, teksa sot me siguri ndonjë urim hipokrit për arsimtarët do vijë dhe nga institucionet e drejtësisë.

Sot është një ditë nderimi për sakrificën e arsimtarëve shqiptar që misionin e tyre nuk e ndalën as në ditët më të errëta të këtij vendi.

Arsimtarët më së paku kanë nevojë për urime hipokrite të këtyre që mbyllën 295 shkolla, ata kanë nevojë për garanci se dinjiteti i tyre nuk do cënohet, se kontratat kolektive do jenë standard dhe rritja e pagave të tyre nuk do jetë nul nga efektet e Narkoeuros në ekonomi.

Pas 11 Majit arsimtarët do të jenë prioritet i qeverisë sonë, pasi asnjë vend në botë nuk njohu zhvillim dhe emancipim nëse arsimtarit nuk i dha autoritetin që meriton".