"Fondet e IPARD duhet të ishin çështje prioritare për SPAK", Hoxhaj: Kanë kaluar 2 vite, asnjë zyrtar s'është vënë para përgjegjësisë
Bllokimi i fondeve të IPARD ka ngritur shqetësime të mëdha mbi transparencën dhe menaxhimin e financimeve për bujqësinë në Shqipëri. Gazetari Julian Hoxhaj, i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në SYRI TV, ka vënë theksin tek nevoja urgjente që SPAK ta trajtojë këtë çështje me përparësi.
Sipas tij, bllokimi i fondeve të IPARD lidhet ngushtë me përgjegjësinë e ish-zyrtarëve dhe mekanizmat e kontrollit që nuk kanë funksionuar siç duhet. Ai ka zbuluar se Bashkimi Evropian ka investuar gjithashtu rreth 80 milionë euro për reformën në drejtësi, duke e bërë edhe më të rëndësishme hetimin e kësaj çështjeje.
Hoxhaj thekson se, pavarësisht indikacioneve për një hetim në zhvillim, nuk ka ende asnjë zhvillim publik apo mbajtje përgjegjësie nga zyrtarët e përfshirë.
Hoxhaj: "Unë mendoj që çështja e fondeve të IPARD duhet të ishte çështje prioritare për SPAK. Sepse kemi të bëjmë edhe me një element tjetër. Meqë jemi në vazhdën e atyre diskutimeve të fondeve të USAID për reformën në drejtësi, unë po ju sjell një element.
Kam zbuluar që vetë Bashkimi Evropian, për reformën në drejtësi, ka dhënë rreth 80 milionë euro, pra që janë para të taksapaguesve evropianë, dhe edhe për një lloj detyrimi moral, SPAK sot do të duhej që këtë çështje ta kishte prioritare.
Pra, sepse janë investuar paratë e taksave të qytetarëve evropianë, për të krijuar një institucion që duhet të sillte besueshmëri, së pari tek institucionet evropiane dhe jo më tek shqiptarët.
Pra, do të duhej të ishte hetuar kjo çështje. Ka indicie që po hetohet, por nuk kemi asnjë zhvillim publik. Pra, kanë kaluar 2 vite e gjysmë tashmë dhe nuk kemi asnjë zhvillim, nuk kemi asnjë zyrtar. Unë nuk jam nga ata njerëz që dua patjetër masa sigurie, por dua që të zbardhet e vërteta.
Dua të shoh se çfarë përgjegjësie ka ish-ministrja Krifca në këtë histori, çfarë përgjegjësie kanë ish-zyrtarë të tjerë, çfarë përgjegjësie kanë grupet e kontrollit, autoritetet e kontrollit të Ministrisë së Bujqësisë, që kanë qenë përgjegjëse direkt për të monitoruar, për të ngritur filtra për të mos u abuzuar me fondet e IPARD, por jo vetëm, edhe me fondet që jep vetë shteti për bujqësinë".


