Rama gallata me të rinjtë e PS-së me opozitën: Kujtim Gjuzi është “lulja” më e bukur në atë “buqetë”! Për mua, politika është pasion dhe mision!
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste e cilësoi sot anëtarësimin në Bashkimin Europian si ekzistencial për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar.
Në një takim me skuadrën e të rinjve të PS-së Tiranë, Rama tha se “Bashkimi Europian është projekti më i jashtëzakonshëm politik i njerëzimit”.
“Nuk diskutohet që është një projekt i papërfunduar dhe prandaj ka probleme dhe dobësi etj, por nuk ka një gjë tjetër dhe në një botë ku Europa nuk është më fuqia që ishte nga pikëpamja e peshës në ekonominë e përgjithshme botërore, Bashkimi Europian është përgjigjja”, shtoi ai.
Rama theksoi se “fuqizimi, zgjerimi, krijimi i Shteteve të Bashkuara të Europës është përgjigjja”.
“Do kërkojë kohën e vet, por ne duhet të jemi brenda dhe ky është momenti, kjo është më e bukura tani. Ne të gjitha këto i kemi folur, por asnjëherë ne nuk e kemi parë momentin siç shohim këtu këtë hapësirën dhe ky është 11 maji dhe për të gjithë të tjerat, për vazhdimësinë e të gjitha gjërave të tjera që unë nuk dua tani t’ju lodh kokën ju ‘kemi bërë këtë e kemi bërë atë e kemi bërë atë’ sepse në një këndvështrim kemi bërë jashtëzakonisht shumë e në një këndvështrim tjetër ka akoma shumë për të bërë, por kjo është përtej këtyre”, tha kryeministri.
Anëtarësimi në BE, sipas tij, “është përtej rrugëve, përtej hekurudhave, përtej infrastrukturave, përtej të gjithave, pemëve që mbjellim etj, është ekzistenciale për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar”.
POLITIKA SI PASION DHE MISION
Kur na ndajnë 66 ditë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama, njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim me të rinjtë e PS-së në Tiranë.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një të reje se “ku i buron energjia”, Rama tha se “për sa i përket energjisë është një çështje më personale”, ndërsa shtoi se për të politika është pasion dhe mision.
“Për mua politika nuk është profesion, nuk është punë, nuk është zanat jo e jo, nuk është karrierë në kuptimin që i jepet karrierës. Është pasion dhe është mision dhe për hir të vërtetës, nga mënyra sesi ka ndodhur me mua, por po të shikosh momentet kyçe që më kanë bërë të merrem me këtë punë, ka qenë në njëfarë mënyrë fat dhe lojë e fatit më saktë sepse nuk kanë qenë vendimmarrje të menduara gjatë etj, por kanë qenë rrethana dhe e fundit ka të bëjë dhe me historinë”, tha Rama.
“Domethënë, në moshën tuaj unë jetoja në një regjim tjetër, nuk kishte lidhje me këtë sot dhe ishte një betejë për liri personale, nuk kishte lidhje me zgjedhje e me alternativa, ishte betejë për liri personale dhe rrethanat e kanë sjellë që të ngec në këtë valle. Kjo është gjëja”, tha Rama.
Rama theksoi se një gjë që e mban në politikë është edhe fakti që mund të përmbyllim fazën historike, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë shtoi se në një farë mënyre kjo është një lloj i hakmarrjes për gjithçka që ka ndodhur në të shkuarën me vendin tonë, në të gjitha nivelet.
“Unë i them “zjarr i brendshëm”. Në qoftë se kur njeriu, unë të paktën sepse nuk them njeriu sepse njerëzit janë lloj-lloj, por për sa kohë kam këtë zjarrin e brendshëm nuk kam nevojë të mendoj se ku t’i gjej energjitë. Pastaj, nëse zjarri fillon dhe shuhet atëherë do jetë e vështirë për t’i gjetur edhe energjitë dhe kaq. Në këtë gjë më mban ajo që ju thashë, fakti që ne mund ta mbarojmë këtë. Ne, unë se Ogerta me ju do vazhdoni, por fakti që mund ta përmbyllim këtë fazë historike, duke u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe në njëfarë mënyre është dhe një lloj hakmarrjeje për gjithçka që ka ndodhur në të shkuarën, në të gjitha nivelet. Kjo është pak a shumë përgjigja që unë do jepja”, tha Rama.
BATUTAT PER OPOZITEN
Duke ironizuar koalicionin opozitar, Rama tha se çdo lloj lëkundje dhe cdo lloj tango me Kujtim Gjuzin do krijonte lëkundje të përgjithshme.
“Kujtim Gjuzi është lulja më e bukur në atë buqetë por sot na duhet të jemi anëtarë të BE sa më parë, për të marrë nëj fuqi të re financiare përvec të gjitha të mirave që ka anëtarësimi”, u shpreh Rama.
Sipas tij, me anëtarësiin në BE, Shqipëria përfiton direkt si vend përfitues, me një buxhet ekstra.


