E drejta dhe rëndësia e votës, KQZ takim me votues për herë të parë në Devoll

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) organizoi një takim informues në Devoll, ku morën pjesë rreth 120 maturantë, shumica e të cilëve do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit për Kuvendin.

Sipas KQZ-së, pikat kryesore të takimit ishin e drejta dhe rëndësia e votës.

“Të rinjtë u inkurajuan ta shohin votën si një mjet të fuqishëm për të formësuar të ardhmen e tyre dhe për të ndikuar në proceset vendimmarrëse”, njofton KQZ.

Një pikë tjetër ishte angazhimi aktiv i të rinjve.

“Përveç votës, ata u njoftuan me mundësitë për të kontribuar aktivisht në procesin zgjedhor, duke përfshirë mundësinë e punës si operatorë të pajisjeve elektronike të identifikimit në ditën e zgjedhjeve”, njofton KQZ.

Maturantët morën pjesë në një ushtrim praktik që simulonte procesin e votimit, duke fituar përvojë të drejtpërdrejtë në verifikimin e emrave në listën e zgjedhësve, paraqitjen e dokumenteve të nevojshme në qendrën e votimit, shënimin e saktë në fletën e votimit për të siguruar që vota të jetë e vlefshme.

KQZ vazhdon të angazhohet për rritjen e ndërgjegjësimit dhe përfshirjes së të rinjve në zgjedhje, duke siguruar që çdo votë të numërohet dhe çdo zë të dëgjohet.