‘Neymar dëshiron kthimin te Barcelona’, menaxheri brazilian ‘ia kalon topin’ klubit ‘blaugrana’
Neymar Junior është rikthyer te Santosi, klubi i tij i parë, dhe do të ishte “i lumtur” të realizonte një tjetër rikthim te skuadra e dytë e karrierës së tij, Barcelona.
André Cury, agjent brazilian që ndërmjetësoi transferimin e Neymarit te Barcelona në vitin 2013 dhe ka marrë pjesë në disa operacione hyrëse dhe dalëse të futbollistëve brazilianë te Barça, deklaroi për RAC1 se lojtari aktual i Santosit është i gatshëm të veshë sërish fanellën ‘blaugrana’.
"Neymar do të ishte i lumtur të kthehej te Barça", tha Cury gjatë intervistës së tij në programin ‘Tu Diràs’ të RAC1 këtë të diel.
Sipas agjentit, Neymar "nuk duhet të kishte ikur kurrë nga Barcelona dhe një rikthim i tij është i realizueshëm".
Në fillim të shkurtit, lojtari, që në vitin 2017 u bë pjesë e transferimit më të shtrenjtë në historinë e futbollit, duke u larguar nga Barça për 222 milionë euro për t’iu bashkuar PSG-së, vendosi përkohësisht t’i japë fund karrierës jashtë Brazilit duke prishur kontratën me klubin saudit Al Hilal dhe duke u angazhuar me Santosi deri në qershor.
Me 33 vjet të sapombushura, synimi i Neymarit është të rikuperojë formën e tij më të mirë në klubin që e bëri të famshëm dhe, sipas Cury, ai do të ishte “i lumtur” nëse kthimi i tij në Evropë do të ndodhte te Barcelona.
Neymar lojtar i lirë në verë, vendimi mbetet te Barça
Në intervistën e tij për RAC1, Cury dha perspektivën e tij mbi të ardhmen e Neymarit:
"Në korrik, ai do të jetë lojtar i lirë dhe po rikuperon formën e tij në Brazil. Nëse ekziston ndonjë mundësi për t’u rikthyer te Barcelona, ai do të kthehet me shumë kënaqësi, këtë e di me siguri", theksoi ai, duke ia lënë vendimin në dorë Barcelonës.
"Nëse klubi e mbështet këtë transferim, atëherë mund të ndodhë", sugjeroi ai.
I pyetur nëse Deco, drejtor sportiv i Barcelonës, pëlqen Neymarin, Cury u përgjigj: "Të gjithëve u pëlqen Neymar, është e pamundur që dikujt të mos i pëlqejë". Ai gjithashtu parashikoi se “Neymar ka edhe dy ose tri vite futboll në nivele të larta”.
