Rama ndan historinë e Michel: Lindi në Itali nga prindër shqiptarë e sot jeton e punon me krenari tek rrënjët e veta
Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një vend ku mund të zhvillosh biznes. Më tepër emigrantë çdo vit po rikthehen duke investuar kursimet e tyre, duke ngritur kompani të suksesshme që nuk kanë më treg vetëm tregun e brendshëm, por tashmë kanë kaluar edhe kontinentin duke u shtrirë deri në tregun aziatik.
Kryeministri Edi Rama përcolli sot historinë e Michel Dokut, prindërit e të cilit emigruan që në fillim të viteve ’90 drejt Italisë, por u rikthyen më pas për të bërë sukses në tregun e prodhimit dhe tregtimit të mermerit.
“Historia e Michelit, gjaku i gjakut që kurrë s’bëhet ujë, i cili lindi në Itali nga prindër shqiptarë, e sot jeton e punon me krenari tek rrënjët e veta me krejt familjen”, shkruan Rama.
Michel tregon se fillimisht u kthye i ati, nisi biznesin në Shqipëri për prodhimin e mermerit, e më pas iu bashkëngjitën edhe pjesëtarët e tjerët të familjes, ai, nëna dhe i vëllai.
Michel thotë se sot ai eksporton në të gjithë botën, në Ballkan, Kinë, Indi, Japoni, Singapor SHBA. Rrugëtimi i kompanisë së tyre, tregon Michel, është i gjatë, i vështirë, por beson se do të jetë edhe më i suksesshëm.
“Ne ngritëm kompaninë “Albamer”. Në vitet ‘90 prindërit u larguan për në Itali për një jetë më të mirë. Me kalimin e viteve ata panë që edhe Shqipëria do të kishte mundësi rritjeje dhe zhvillimi dhe vendosëm të ktheheshim në vendlindje. Babi nisi tregtinë me mermerin dhe granitin. Me kalimin e viteve u rritëm dhe unë dhe vëllai. U kthyem të gjithë familjarisht këtu, në Shqipëri, në vendin tonë”, tregon ai.
“Kemi ndërtuar këtë realitet që jemi sot, me mund, punë, e dashuri ndaj gurit natyror. Shpresojmë që Shqipëria do të vazhdojë sa më lart. Këtu, në Shqipëri dhe sidomos në biznesin tonë të gjithë punonjësit janë të rinj, të sapodalë nga shkolla. Ndër vite janë rritur, janë bërë përgjegjës, menaxherë dhe kanë krijuar një eksperiencë rritjeje profesionale”, vijon Michel.
“Në fabrikën tonë prodhojmë cilësi europiane, sepse ne aktualisht eksportojmë në të gjithë botën, në Ballkan, Kinë, Indi, Japoni, Singapor SHBA. Një rrugë e gjatë, nuk është e thjeshtë, por shpresat i kemi dhe besoj se do të arrijmë më tepër. Kemi një bekim tjetër, si krenari që jemi shqiptar, kemi edhe disa ekskluzivitete, lloje mermerësh që dalin në Shqipëri, janë produkti jonë dhe që ne aktualisht eksportojmë në të gjithë botën”, tregon Michel.
“Janë materiale të njohura në nivel botëror dhe të kërkuara. Materiale të Lepenicës, ka shumë kërkesë në tregun aziatik. Një tjetër material që del nga Korça, eksportohet aktualisht në të gjithë vendet e botës dhe është shumë i kërkuar. Jemi krenar që ky sektor po zhvillohet edhe në Shqipëri me pasqyrë botërore”, tregon Michel.
