Balla: Priten 230 mijë regjistrime nga jashtë deri në mbylljen e afatit, dëshirë e madhe për të votuar

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla deklaroi sot se, janë pothuajse 195 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë jashtë të regjistruar në KQZ deri tani dhe pritet që deri ditën e martë të shkohet tek 230 mijë.

Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend ku po diskutohen dy aktet normative të Këshillit të Ministrave, të cilët synojnë shtyrjen e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit deri në fund të muajit maj, Balla u shpreh se, “dy aktet normative kanë ardhur si një kërkesë krejtësisht normale e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë territorit.

Ndërsa në 11 janar filloi procesi i aplikimit për t’u regjistruar si votues nga jashtë, disa qindra e më pas mijëra bashkatdhetarë rezultonin që nuk kishin mundësinë për të rinovuar dokumentet e tyre të identifikimit brenda afatit.

Balla theksoi se me një dakordësi të të gjithë palëve, qeveria ka sjellë sot këto dy akte normative, të cilat shtoi ai, “janë akte që u mundësojnë bashkatdhetarëve tanë kudo që janë të vazhdojnë të regjistrohen në shumicë deri në datën 4 mars për të votuar dhe ata”.

Balla i shprehu mirënjohjen të gjithë atyre që janë regjistruar.

“Janë pothuajse 195 mijë të konfirmuar deri tani dhe pritet që deri ditën e martë të shkohet tek 230 mijë. Një shifër përtej të gjitha pritshmërivë të skeptikëve por që tregon dëshirën e madhe të bashkatdhetarëve tanë që të bashkohen me ne në vizionin Shqipëria 2030 në një shumicë si asnjëherë tjetër. E për t’i mundësuar këtij Kuvendi e padyshim kësaj mazhorance, që ndërsa të mblidhemi në 9 shtator në fillimin e legjislaturës të re të kemi mundësi që të çojmë përpara reformat të cilat do ta mundësojnë Shqipërinë tonë që brenda vitit 2027 ne të mbyllim negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, u shpreh Balla.

“Ne kemi shumë nevojë të dashur bashkatdhetarë që të kemi një shumicë të cilësuar në Kuvendin e ardhshëm, pa qenë e nevojshme që të rrimë t’i lutemi atyre që kushtëzojnë votën siç kushtëzuan votën e tyre edhe për të rregulluar disa afate”, tha Balla.

Sa i përket rrugës evropiane të Shqipërisë, Balla tha se, “rruga jonë evropiane është tanimë në drejtimin e duhur. PS angazhohet para popullit shqiptar që të mbyllë procesin e negociatave deri në vitin 2027. Gjatë vitit 2028 të përmbyllim ratifikimin e marrëveshjes së anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Dhe brenda këtij mandati të ri që fillojmë në 11 maj ne ta mbyllim përfundimisht procesin e anëtarësimit për ta parë Shqipërinë mes vendeve të tjera anëtare te BE-së”.

Më tej, Balla renditi disa nga arritjet e qeverisë socialiste në transformimin e Shqipërisë me shkolla e spitale të reja.

“Shqipëria përparon. E mbaj mend kur latë pushtetin me 3 milion turistë bashkë me motrat e vëllezërit tanë të Kosovës. Të qëllonin me automatik s’mund të bëje plazh në 2013. Ndërkohë sot Shqipëria është destinacioni më i sigurt jo vetëm në Ballkan por dhe në Europë. Lërini këto. Është një barsoletë. Vazhdoni fërkoni gjoksin se e dini çfarë ju pret.” përfundoi fjalën e tij Balla në parlament.