Tabaku: Besim Ndregjoni për Avokat të Popullit, Peleshi: Të respektojmë rrugën institucionale
Në seancën e sotme plenare, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, theksoi gatishmërinë e mazhorancës për të vijuar me procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
Peleshi bëri të qartë se PS nuk ka asnjë kundërshtim për të ndjekur procedurat parlamentare mbi bazën e propozimeve të opozitës, dhe se disa kandidatura tashmë kanë marrë firmat e opozitës.
“Për ne, procesi duhet të vijojë siç kemi rënë dakord më herët.
Nuk kemi kundërshtim për asnjë emër, por është e rëndësishme të respektohet rruga institucionale,” u shpreh kryetari i Grupit Parlamentar të PS.
Ai gjithashtu bëri me dije se ka kërkuar nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që të ulen për diskutime mbi këtë çështje dhe se mazhoranca është në pritje të një përgjigjeje nga opozita.
“Unë kam bërë hapin tim në emër të grupit, tashmë mbetet që edhe pala tjetër të tregojë vullnetin e saj,” përfundoi Peleshi.
Ndërsa deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se, ka pritur nga mazhoranca të nisë një proces diskutimi për emrin e propozuar nga opozita për Avokatin e Popullit, Besim Ndregjoni.
“Opozita pret që të përfundojmë me një kandidat të propozuar nga opozita”, tha Tabaku.
Po ashtu ajo kërkoi të mos shkelet puna e deputetëve të opozitës dhe të votohen ligjet që ata kanë propozuar.
