Shelli iku/ Rama: Në Shpirag rezervë e madhe nafte, por kostoja e nxjerrjes shumë e lartë

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj live pyetjeve të adresuara në platformat sociale, në bashkëbisedimin “Sy m’ Sy” ku u pyet edhe për aeroportin e Kukësit.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “aeroporti i Kukësit është aty i ndërtuar dhe operatori i aeroportit është duke punuar për të lidhur disa kontrata, sepse është histori kontratash, është histori marrëdhëniesh private kjo”.

Sa i përket naftës në Shpirag, Rama tha se, “një nga kompanitë më të mëdha të botës ishte aty në operim, eksplorim. U zbulua një rezervë shumë e madhe nafte, por për arsye të gjeologjisë jashtëzakonisht të ndërlikuar dhe të masivit gjeologjik të Shpiragut, kostoja e nxjerrjes me teknologjinë ekzistuese të kompanisë bëhet shumë e lartë”.

“Jemi duke punuar për zgjidhje. Të shikojmë. Por mos u gëzoni kur diçka e mirë për Shqipërinë vonohet. Mos u gëzoni se nuk është çështja tek unë, nuk është për mua. Shpiragu nuk është dollapi i shtëpisë sime, është një pasuri kombëtare e përbashkët, për sot, për nesër, për pasnesër. Kështu që mos u gëzoni. Hiqeni këtë zakon që ju ka mësuar bufi i kënetës që të gëzoheni kur diçka e mirë për Shqipërinë vonohet ose nuk ndodh. Se jeni prindër, jeni djem nënash. Jeni bij baballarësh, jeni vëllezër motrash, mos u gëzoni se është turp i madh”, tha Rama.