Shqipëria vend nderi në panairin ITB Berlin, Kumbaro: Stendë gjigante me 100 operatorë
200 shtete nga e gjithë bota dhe gjashtë mijë ekspozues për ofertat e turizmit për këtë vit do të jenë në panairin ITB Berlin, ku Shqipëria do të jetë vendi i nderit.
Në bashkëbisedimin e së enjtes në platformat sociale, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e cila e informoi se e gjithë vëmendja aktualisht është në axhendën e panairit të turizmit ITB në Berlin që do të hapet të hënën e 3 marsit.
Kryeministri Edi Rama do të jetë i pranishëm, ndërsa sipas Kumbaros, ka kërkesë shumë të madhe për ta takuar nga drejtuesit e disa prej agjencive më të rëndësishme turistike, TUI, aeroporti i Dusseldorfit.
“Ne kemi panairin e punës në Athinë ne 2 mars dhe në datën 3 është hapja e panairit në Berlin me një konferencë shtypi gjigante dhe pastaj ceremoninë e hapjes. Është gjigante se jemi vendi i nderit, Shqipëria këtë vit është vend i nderit është panairi më i madh në botë”, tha Kumbaro.
Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit bëri me dije se ndryshe nga formula e zakonshme që ndiqet çdo vit, ku një shtet i caktuar bën kërkesë për të qenë vend nderi në panairin e ITB-së në Berlin, në rastin e Shqipërisë kanë qenë vetë organizatorët e panairit që në vitin 2023 kanë bërë kërkesë që të jetë Shqipëria vend nderi duke parë shifrat e turizmit dhe ekonomisë.
“Vitin që vjen vendi i nderit do jenë Maldivet dhe përzgjedhja për Shqipërinë është bërë nga ata, ndryshe nga ku zakonisht ku vendi aplikon për të pasur këtë status, e kanë bërë ata në vitin 2023 kur panë performancën e Shqipërisë, kanë ndjekur gjithë shifrat si kanë ecur në ekonomi dhe shifrat e vizitorëve”, tha Kumbaro.
Sipas saj, në konferencën e madhe në datën 3 mars në mëngjes do të jenë pesë mijë përfaqësues të mediave, gazetarë, blogerë. “Është një ndërmarrje gjigante dhe përgjegjësi shumë e madhe për ne”, tha ministrja.
Kumbaro u ndal edhe te pjesa teknike e organizimit sa i takon Shqipërisë dhe pjesëmarrjes së vendit tonë në këtë panair të madh të turizmit.
“Ka filluar ndërtimi i stendave, do të kemi një stendë gjigante me 100 pjesëmarrës operatorë që vijnë nga Shqipëria, agjenci turizmi, hotele me pesë yje, agroturizëm, llojet e turizmit kulinar, do të kemi edhe një ofertë të madhe kulinare me një nga shefat më të mirë shqiptarë të kuzhinës për rreth tre mijë pjesëmarrës”, tha ajo.
“Do të kemi katër ditë, tre deri në gjashtë mars ku i gjithë Berlini brandohet, reklamohet Shqipëria nga të gjitha anët, edhe në panair edhe në qytet, është një shans i jashtëzakonshëm dhe kërkesat për t’u takuar janë të mëdha. Na duhet dita 48 orë jo 24 orë”, përfundoi Kumbaro.
