Braçe: Rregullim i qartë i TVSH në Bujqësi, jo si kompensim
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe paraqiti sot në Komisionin për Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut projektligjin me nismë të tij, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.92, datë 24.07.2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Sipas deputetit socialist, kjo nismë është një përpjekje gjashtëvjeçare e tij dhe e kolegëve të tjerë të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave në Kuvendin e Shqipërisë dhe që ka lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në sektorin e bujqësisë.
Braçe u shpreh se kjo nismë synon të rregullojë gjithë anomalinë që është krijuar në janar të vitit 2019 nga Ministria e Financave e asaj kohe, që vendosi shkallëzim të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, një skemë që sipas deputetit nuk ishte thjesht e vetëm skemë e pastër mbi TVSH-në, por vlente si kompensim apo subvencion për fermerët në atë periudhë.
“Nisma u rëndua më shumë, apo skema e TVSH u rëndua më shumë në vitin 2021 me paketën fiskale të atij dimri dhe janari 2022 rrëzoi totalisht skemën e kompensimit tek fermerët e që ngjan me tatimin mbi qarkullimin se tatimin se sa mbi Vlerën e Shtuar. Siç thuhet edhe në ligj, TVSH e pagueshme është TVSH në shitje minus TVSH në blerje. Duke e bërë TVSH në blerje zero për qind praktikisht ka funksionuar si tatim mbi qarkullimin, nuk ekziston në legjislacionin shqiptar si i tillë”, tha Braçe.
“Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në sektorin e bujqësisë nuk funksionoi si i tillë dhe natyrisht do duhet një rregullim i qartë, jo si kompensim apo subvencion. Ministria e Bujqësisë ka aplikuar skema të tjera subvencioni që këtë vit shkuan në 5.2-5.3 miliardë lekë të paguara për fermerët, për ta kthyer skemën e TVSH në natyralitetin e saj”, vijoi Braçe.
“Bëhet fjalë për gjithë sektorin e bujqësisë, blegtori, peshkim dhe pylltari me qëllim që të kthejmë në normalitet skemën, dhe të kthejmë në formalizim tregun e produkteve bujqësore, blegtorale, peshkore dhe pyjore”, u shpreh ai.
Braçe theksoi se “sot tregu funksionon jashtë qarkullimit ligjor, i faturuar dhe i raportuar në çdo transaksion në organet tatimore”.
“Sot nga bujku deri tek dyqani i lagjes nuk ke një faturë tatimore për produktet e prodhuara në vend dhe lë hije të fortë dyshimi për prodhimin bujqësor dhe blegtoral edhe nga institucionet e rëndësishme siç është edhe INSTAT-i”, shtoi Braçe.
Deputeti Hasalla u shpreh në fjalën e tij, se ky projektligj ka qenë një kërkesë e kahershme e fermerëve dhe bujqve në zonat rurale. “Qëllimi i këtij projektligji synon përmirësimin e kuadrit rregullator për aplikimin e TVSH-së me një mekanizëm të ri për përllogaritjen e saj. Me këtë projektligj rregullohet mënyra e përllogaritjes dhe zbritjes së TVSH-së në rastet e autofaturimit nga fermerët për produktet bujqësore, blegtorale, peshkore dhe pyjore”, tha ai.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural pohoi se mbështet çdo nismë për fermerët dhe se MBZHR është dakord me këtë projektligj.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Ministrisë së Financave u shpreh në lidhje me skemën e fermerit, se kjo skemë duhet rishikuar.
“Propozimi i ardhur nuk qëndron në përputhje me parimet e ligjit të TVSH-së për pjesën që duam të mbrojmë bujqësinë. Ligji i TVSH-së është 100% i transfuzuar në skemën e fermerit që ne kemi në sesionin 10. Propozimi për të ndërhyrë në nenin 69 teknikisht nuk është i mbështetur, sepse Shqipëria e ka 100% të përafruar me nenin përkatës të direktivës dhe ky propozim e kemi analizuar edhe në aspektin e integrimit dhe procesit integrues në kapitullin 16 dhe nuk qëndron. Teknikisht neni 69 nuk mund të përdoret për të adresuar çështjen në diskutim, për grumbulluesit dhe eksportuesit por nuk adreson çështjen e fermerit. Për këtë arsye, ne do vlerësojmë për të rishikuar skemën e fermerit siç është tani ligji ekzistues, jo për ta shfuqizuar”, u shpreh ajo.
Projektligji u miratua me 15 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
