Putin: Evropa është e nevojshme në bisedimet me Ukrainën, por marrëveshja është ende e largët

Pjesëmarrja e Evropës në bisedimet e paqes në Ukrainë do të jetë e nevojshme, por Moska së pari dëshiron të ndërtojë besimin me Uashingtonin, tha dje në mbrëmje presidenti rus Vladimir Putin, ndërsa sugjeroi se një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit mund të jetë ende larg, sipas “Reuters”.

Ndërsa Ukraina shënoi dje përvjetorin e tretë të pushtimit rus që shkaktoi vdekjen e mijëra civilëve dhe zhvendosjen e miliona banorëve, presidenti i SHBA-së, Donald Trump sugjeroi se lufta mund të përfundonte brenda disa javësh. Por ai nuk dha detaje.

Putin tha për televizionin shtetëror rus se Trump po i afrohej konfliktit Rusi-Ukrainë në mënyrë racionale dhe jo emocionale, duke lënë të nënkuptohej lufta mund të mos përfundonte aq shpejt sa Trump donte.

“Gjatë bisedës sime telefonike me Trump dhe bisedimeve të fundit midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë në Riad u diskutua çështja e zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë”, shtoi Putin.

“Por nuk u diskutua në detaje. Ne, thjesht ramë dakord që do të ndiqnim këtë rrugë. Dhe në këtë rast, natyrisht, ne nuk po refuzojmë pjesëmarrjen e vendeve evropiane”, tha Putin.

Ukraina dhe aleatët evropianë të Kievit kundërshtuan mungesën e pjesëmarrjes së tyre në raundin fillestar të bisedimeve për Ukrainën, të zhvilluar javën e kaluar në Arabinë Saudite nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia.

Putini tha se Evropa nuk kishte “lidhje me” bisedimet në Riad, pasi ato ishin të përqendruara në vendosjen e besimit midis Moskës dhe Uashingtonit, gjë që ai tha se ishte thelbësore.

“Për të zgjidhur çështje komplekse dhe mjaft të mprehta, si për shembull në Ukrainë, si Rusia ashtu edhe SHBA-ja duhet të ndërmarrin hapin e parë”, tha Putin.

“Nga çfarë përbëhet? Ky hap i parë duhet t’i kushtohet rritjes së nivelit të besimit midis dy shteteve. Por, çfarë lidhje kanë evropianët me të?”, shtoi ai.

“Raundet e ardhshme të bisedimeve dhe kontakteve të nivelit të lartë do t’i kushtohen ndërtimit të këtij besimi, por sapo bisedimet të kthehen në arritjen e një zgjidhjeje të konfliktit, prania e partnerëve evropianë do të jetë logjike”, tha Putin.

“Pjesëmarrja e tyre në procesin e negociatave është e nevojshme. Ne kurrë nuk e refuzuam këtë, ne zhvilluam diskutime të vazhdueshme me ta”, shtoi ai.

Michael Froman, presidenti i Këshillit të SHBA-së për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se do të ishte gabim që një marrëveshje armëpushimi të ishte në dëm të aleancës transatlantike.

“Për të siguruar paqen përmes forcës, do të ishte në interesin e Trump të punonte së bashku me partnerët tanë evropianë, të cilët do të mbajnë barrën e mbijetesës financiare dhe ekonomike të Ukrainës”, tha ai javën e kaluar.