Starmer mbështet Zelensky pasi Trump e quan udhëheqësin ukrainas “një diktator”

Kryeministri britanik, Keir Starmer mbështeti sot Volodymyr Zelensky gjatë një bisede telefonike – pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump e quajti presidentin ukrainas “një diktator pa Zgjedhje”.

Në bisedën e tij, kryeministri i Britanisë së Madhe i ofroi Zelensky mbështetjen e tij si lider i zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës dhe tha se ishte plotësisht e arsyeshme të pezulloheshin zgjedhjet gjatë kohës së luftës, siç bëri Britania e Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore”, sipas një zëdhënësi të “Downing Street”.

Reagimi i Starmer erdhi pas një luftë fjalësh midis Trump dhe Zelensky. Presidenti amerikan kritikoi dje homologun e tij ukrainas për shtyrjen e zgjedhjeve.

Zelensky u zgjodh president i Ukrainës në maj 2019. Zgjedhjet në Ukrainë ishin planifikuar të mbaheshin në vitin 2024, por ato nuk u zhvilluan si rezultat i vendosjes së ligjit të luftës.

Më herët, Zelensky tha se Trump po jetonte në një “hapësirë ​​dezinformimi”.

Grindja midis dy liderëve vjen në një moment delikat në politikën globale pasi zyrtarët amerikanë dhe rusë u takuan për herë të parë në Riad, Arabi Saudite – për të filluar bisedimet që synojnë ndërmjetësimin e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë.

Starmer pritet të udhëtojë në Uashington javën e ardhshme për bisedime me Trump, për të diskutuar luftën në Ukrainë dhe sigurinë evropiane – në të njëjtën javë, presidenti francez Emmanuel Macron raportohet se do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë.

Ky do të jetë takimi i parë mes Starmer dhe Trump – që nga ardhja e tij në detyrë si presidenti i SHBA-së në janar.