Ka 24 vite larg fushave, shokon Sacchi: Kam marrë disa oferta, po mendoj të kthehem të trajnoj

Një deklaratë surprizuese ka ardhur dje nga Arrigo Sacchi, trajneri që ka shkruar historinë me Milanin e Silvio Berlusconit në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90. I intervistuar nga agjencia “Adnkronos”, Sacchi zbuloi se është gati të kthehet për të trajnuar një skuadër futbolli, pas një pauze prej 24 vjetësh.

"Po mendoj të kthehem të trajnoj, në Itali ose jashtë, – ka deklaruar Sacchi, pa dhënë detaje apo ndonjë indikacion të saktë. – Kam shumë ide, por nëse do ta bëj këtë në Itali, nuk e di, – ka vazhduar ish-trajneri i Milanit.

– E dua shumë këtë vend, por kam një mangësi. Them atë që mendoj dhe duhet ta bëj edhe për ne, prandaj përpiqem ta shmang këtë më parë. Më kërkojnë të shkoj për shembull në Brazil, në Argjentinë, në Spanjë. Dhe shumë vende të tjera".

Sacchi nuk ka trajnuar një skuadër që nga viti 2001, kur ishte te Parma. Megjithatë, nga viti 2010 deri më 2014 ka mbajtur postin e koordinatori teknik të ekipeve rinore të Italisë, nga U-16 deri te U-21. Tani, megjithatë, ai ndjehet i gatshëm të kthehet në pankinë, siç e ka konfirmuar vetë në këtë intervistë.