Atentati ndaj ish-policit Roland Rexhepi, Prokuroria e Elbasanit mbyll hetimet dhe çon në gjyq Donald Hoxhën

Donald Hoxha një prej personave të arrestuar për vrasjen e ish policit Ronald Rexhepit është marrë i pandehur nga prokuroria e Elbasanit. Dosja në ngarkim të tij ka kaluar në gjykatë e ndërsa tashmë pret ballafaqimin me drejtësinë. Vrasja e ish-oficerit të Antidrogës besohet se është bërë për shkak të përplasjeve mes grupeve kriminale.

Prokuroria e Elbasanit ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar për gjykim dosjen penale ndaj Donald Hoxhës, i akuzuar për vrasjen e ish-efektivit të policisë, Roland Rexhepi, i njohur si Doda.

Hoxha u ekstradua disa muaj më parë nga Britania e Madhe dhe tashmë do të përballet me drejtësinë për krimin e ndodhur më 22 korrik 2009 në Elbasan.

Më herët, për vrasjen e Dodës janë arrestuar dhe dënuar Marjus Tafa dhe Armando Llakaj, përkatësisht me 23 dhe 24 vite burgim, ndërsa po gjykohet edhe Florind Shabani, i njohur si Pacuku.

Dëshmia e Donald Hoxhës, është kthyer në çelësin e identifikimit të një personi të pestë që ka marrë pjesë në vrasjen e Roland Rexhepit, i cili është Gëzim Balla, për të cilin prokuroria ka nxjerë një urdhër-arresti, duke i kërkuar policisë së Shtetit të bëjë lokalizimin dhe më pas arrestimin e këtij personi.

Sipas dëshmisë së Hoxhës, Gëzim Balla, ka qënë së bashku me të në furgonin tip “Renault” që është blerë në Fushë-Krujë nga anëtarët e një grupi kriminal, posaçërisht për tu përdorur në këtë vrasje.

Në 22 korrik 2009, pas kryerjes së vrasjes së Roland Rexhepit, policia gjeti në brendësi të furgonit tip “Renault”, 12 copë bishta cigaresh të hedhura në dysheme dhe një maskë.

Furgoni ka qenë i parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes në lagjen “Banesa”, përballë derës së garazhit të viktimës, jo shumë metra ku u qëllua për vdekje Roland Rexhepi.

Ndërkohë tre vite nga vrasja e Rexhepit , në 30 dhjetor 2011, në Elbasan ka mbetur i vrarë vëllai i tij, Ilir Rexhepi.

I njëjti grup kriminal që pagoi dhe organizoi vrasjen e Rolandit, financoi dhe vrasjen e Ilir Rexhepit, duke kontraktuar si vrasës Mihal alias Mirgert Toshin nga Korça.

Mihal Toshi, është vëllai i Damiano Toshit, që aktualisht është duke u gjykuar në Elbasan për vrasjen e dy basketbollistëve të skuadrës së “Skëndërbeut” në qytetin e Korçës.