Shqipëri-Egjipt, forcim i bashkëpunimit për promovimin e turizmit

Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela mirëpriti sot në një takim ambasadorin e Republikës Arabe të Egjiptit në Tiranë, Hassan Shawky.

Në fokus të bisedës ishte forcimi i bashkëpunimit në promovimin e turizmit mes Egjiptit dhe Shqipërisë përmes shkëmbimit të përvojave dhe mundësisë për zbatimin e programeve dhe projekteve të përbashkëta.

Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së e njohu Ambasadorin me punën promovuese të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, si edhe me vizionin e qeverisë shqiptare për turizmin 2030, si në infrastrukturë, zhvillimin e turizmit cilësor dhe të qëndrueshëm, si dhe zgjatjen e sezonit turistik që janë disa prej shtyllave kryesore që garantojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Drejtoresha Çela i propozoi Ambasadorit të Egjiptit në vendin tonë krijimin e urave të bashkëpunimit me Autoritetin Egjiptian të Turizmit (ETA), përgjegjës për promovimin e turizmit.

Nga ana e tij, Ambasadori i Egjiptit shprehu vullnetin për zbatimin e mekanizmave efikase për rritjen e mëtejshme marrëdhënieve mes dy vendeve në aspektin e promovimit turistik.

“Shqipëria është një nga vendet kontribues të themelimit të shtetit modern egjiptian, prandaj është e rëndësishme për ne zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve, duke afruar sa më shumë investitorë egjiptianë në Shqipëri”, theksoi ambasadori Çela.