Ngjarja që tronditi Greqinë/ 10 vite në qeli Ervis Lokës, çfarë bënte kur kthehej nga emigrimi
Tre video amatore të filmuara nga djali i 41-vjeçares, Bedrie Loka, rezultuan provat kryesore në procesin penal kundër të pandehurit Xhemal alias Ervis Loka, i cili u deklarua fajtor dhe dënuar me 10 vite burgim për “Dhunë në familje”, “Mbajtje pa lejë e armëve” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Prokuroria e akuzoi se Shkak i kryerjes së vetëvrasjes nga nëna e 4 fëmijëve ishte dhuna fizike dhe psikologjike që ia shkaktonte bashkëshorti i saj kur kthehej nga Greqia ku edhe punonte.
Momentet e dhunës janë filmuar me telefon dhe nga djali i çiftit, pamje të cilat më pas u kthyen në prova kryesore në procesin penal kundër Xhemal Lokës.
Për shkaktim të vetëvrasjes, Gjykata e Durrësit, e dënoi Xhemal Lokën me 7 vite burg. Ndërsa për armët pa leje që policia i gjeti në kotecin e pulave pranë banesës, me 3 vite heqje lirie.
Përmbajtjen e këtyre videove, i arrestuari Xhemal Loka, gjatë marrjes në pyetje i ka konsideruar si pjesë normale të jetës në çift të ndikuara dhe nga fyerjet ndaj saj në rrjetin social, po dhe distanca.
Xhemal Loka, i ka qëndruar deklaratave të bëra paraprakisht që më 2 janar 2024, se gruan ia vrau sedra pas gjuhës denigruese, fotove me sharje që vazhdonin të qarkullonin në rrjetin social “Tik Tok”.
Në dosjen e policisë thuhet se nëna e 4 fëmijëve, ka ndërruar jetë në datën 3 janar 2024 në qendrën spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë.

