Tregtia me SHBA-në në pikiatë! Shqipëria ka eksportuar 2 miliardë lekë më pak mallra

Shqipëria ka eksportuar 2 miliardë lekë më pak mallra drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës përgjatë vitit 2024, sipas INSTAT-it.

Të dhënat zyrtare tregojnë se eksportet shqiptare përgjatë 12 muajve kapën vlerën e 7 miliardë lekëve, nga 9.7 miliard që u vlerësuan në vitin 2023.

Eksportet drejt SHBA-së vijojnë të jenë në trend rënës prej vitit 2022, kur edhe u shënua edhe kulmi i mallrave të dërguara përtej Oqeanit Atlantik, në vlerën e 13,4 miliardë lekëve.

Kjo rënie, sipas INSTAT-it, ka prekur kryesisht produktet ushqimore, bimët mjekësore dhe metalet të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të mallrave të eksportuara drejt SHBA-së.

E kundërta ka ndodhur me importet nga Shtetet e Bashkuara drejt vendit tonë, që përgjatë 2024-ës kanë arritur në 20.5 miliardë lekë, duke u rritur me 3 miliardë lekë krahasuar me 2023-shin.

Por pavarësisht shkëmbimeve tregtare, SHBA-ja vlerësohet si një nga investitorët kryesorë në Shqipëri në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë.

Vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2024 investimet amerikane në Shqipëri u vlerësuan në rreth 4.6 miliardë lekë.