Skandali i mishit me brucelozë/ Sëmundja ka prekur edhe fëmijët në Shqipëri
Tashmë është zyrtare, në vendin tonë përgjatë vitit 2024 janë identifikuar 298 bagëti me brucelozë.
Ky informacion iu vu në dispozicion televizionit “Ora News” pas insistimit të vazhdueshëm, pasi autoritetet kompetente refuzonin të publikonin të dhënat zyrtare.
Prekja e bagëtive nga bruceloza nuk kufizohet vetëm te sëmundja që prek gjedhët, por edhe te fakti që mikorobi i brucellës kalon nga bagëtitë te njeriu.
Rreziku më i madh është konsumimi i qumështit dhe nënprodukteve të tij, njëkohësisht konsumimi i mishit duhet të bëhet vetëm në kushtet e përpunimit termik.
Televizioni “Ora News” kërkoi informacion pranë ISHP-së se sa persona janë prekur nga bruceloza përgjatë vitit 2024. Ky institucion fillimisht ka refuzuar të na vërë në dispozicion informacionin e kërkuar dhe është dashur ndërhyrja e Komisionerit për të Drejtën e Informimit që ta vendosë në lëvizje institucionin.
Sipas ISHP-së nga janari deri në nëntor 2024 rezultojnë 33 raste të personave të prekur nga bruceloza. Nga këto, dy raste janë fëmijë të moshës 11 vjeç dhe 2 fëmijë të moshës 12 vjeç.
Simptomat e brucelës mund të shfaqen papritur brenda 2 ditësh ose gradualisht gjatë javësh.
Ato përfshijnë:

Temperaturë të lartë;
Humbje të oreksit;
Dhimbje koke;
Ndjenja të lodhjes ekstreme, etj.
Më herët televizioni “Ora News” ka ngritur alarmin se një thertore në Berat ka nxjerre në treg mish me brucelozë.
Rasti u zbulua nga KLSH dhe më pas AKU ka marrë masa duke i pezulluar licencën thertores.
Pas publikimit të lajmit ka qenë i menjëhershëm reagimi i zv. Ministrit të Bujqësisë duke akuzuar median për keqinformim.
Por faktet janë më kokëforta se dëshira e Zëvendësministrit për të shuar skandalin.
Gjatë vitit 2024 janë identifikuar 298 bagëti me brucelozë dhe janë prekur nga ky bakter 33 persona, mes të cilëve edhe fëmijë. Ende nuk dihet sa qumësht, gjalpë dhe djathë i bagëtive me brucelozë ka qarkulluar në treg.


