Emigrimi “rrëmben” profesionistët, Gjokutaj: Shifrat e ikjes së trurit janë në nivele alarmante, ja pasojat në ekonomi
Vala e emigracionit të të rinjve ka prekur thuajse të gjitha profesionet në vend.
Të tërhequr nga pagat më të larta dhe me synimin për t’u përfshirë në tregje më të gjera profesionale, largimi i të rinjve, veçanërisht i atyre me përvojë pune 3 apo 4-vjeçare, është një nga problematikat më të mprehta që po përballen sektorët në vend.
Shqetësimi u ngrit edhe gjatë intervistës me ekspertin Eduard Gjokutaj në studion e lajmeve në “Ora News”.
Gjokutaj renditi jo vetëm arsyet e këtij shpopullimi, por edhe pasojat reale në tregun shqiptar.
“Në çdo raport dhe shifra statistikore tashmë kjo është në nivele alarmante, pasi po ndihet tek ekonomia, tek pjesa e përfitimeve, në kuptimin e shpërndarjes së burimeve në mënyra jo të drejta dhe nga ana tjetër po ndihet edhe tek mënyra se si po rritet presioni social, që konsiderohet si plakja e popullsisë, e cila vjen nga humbja e kontributorëve nga skemat e ndryshme të taksave, jo vetëm për pensionet, pasi janë një zinxhir.
Por nga ana tjetër lidhet edhe me shqetësimin se sa produktive do të jetë kjo pjesë e mbetur dhe që është pretendente për t’u larguar.
Pra, nuk kemi një frenim, dhe kjo është ende më shqetësues pasi i jep një goditje të fortë ekonomisë dhe krijon pasiguri për të ardhmen.
Gjithashtu kjo godet edhe pjesën më vitale të sipërmarrjes në vend, të cilët i gjenerojnë idetë e tyre mbi mënyrën se si ata gjejnë mënyrën për të bërë biznes këtu dhe kjo është një tjetër problem.
Problem tjetër kemi pjesën e rinisë që janë pretendentë për t’u bërë profesionistë, por ndodh ajo që quhet dhe largimi i trurit, dhe i cili ikën për arsye të një edukimi më të lartë, por edhe më të shpërblyer financiarisht”, u shpreh Gjokutaj.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME EKSPERTIN E EKONOMISË, EDUARD GJOKUTAJ


