Italia nis anijen me 49 emigrantë drejt Portit të Shëngjinit, a do të qëndrojnë në kamp këtë herë?

49 emigrantë në bordin e anijes ushtarake italiane Cassiopea priten të mbërrijnë së shpejti në portin e Shëngjinit.

Me shumë gjasa nga ujërat ekstraterritoriale do të zbarkojnë në tokën shqiptare rreth mëngjesit të ditës së martë.

Është ky misioni i tretë i dërgimit të azilantëve në Shqipëri në bazë të Paktit Meloni-Rama nënshkruar më nëntor 2023 në Romë i cili projektoi ngritjen e dy kampeve të emigrantëve në Shëngjin e Gjadër e nën juridiksionin italian.

Me një afat kohor 5 + 5 vite e një kosto që llogaritet të shkoj në rreth 1 miliardë euro, Pakti Meloni -Rama është i pari i llojit të tij që vë në praktikë spostimin e  problematikës së menaxhimit të fluksit të emigrantëve ilegalë në një tokë të tretë sic është Shqipëria e një vend jo anëtar i BE.

Ky misioni i ri i marinës ushtarake italiane që pritet të sjell në Shqipëri 49 emigrantët, është i pari për vitin 2025 e pas aprovimit në Parlamentin italian të ligjit mbi emigracioni klandestin i cili spostoi kompetencën e shqyrtimit të kërkesave të azilantëve nga Gjykata Civile e Romës në Gjykatat e Apelit si dhe shndërroi nga një normativë ndërministrore në një nen ligjor, listën e vendeve të sigurta mbi bazën e të cilave aplikohet pranimi o jo i qëndrimit të emigrantëve në Shqipëri.

Pak javë më parë Gjykata e Lartë italiane u shpreh mbi Paktin e Emigracionit mes Italisë e Shqipërisë duke specifikuar se lista e vendeve të sigurta e origjinës së azilkërkuesve nuk mund të gjykohet nga Gjykatat Italiane, por është kompetencë e Ministrisë së Jashtme Italiane. E Gjykatat kanë të drejtë të gjykojnë rast për rast kërkesat e çdo emigranti e historinë e tyre personale.

Në muajin shkurt pritet që Gjykata Europiane të jap mendimin e saj mbi Paktin e Emigracionit Meloni-Rama për të shprehur qartë nëse lista e vendeve të sigurta hartuar nga qeveria italiane është në përputhje me normativën europiane.

Pakti mbi emigracionin mes Melonit e Ramës mbeti një nga temat më të debatuar të politikës italiane në vitin e fundit, kritikuar fort nga opozita, mbi koston e lartë të ndërtimit të kampeve në Shqipëri, mos funksionimin e tyre e për shkelje të të drejtave të emigrantëve që do të mbahen në regjim burgimi në qendrën e Gjadrit.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e ka shprehur shpesh herë qartë e fortë se do të bëj ç’është e mundur që ky projekt me Shqipërinë e këto kampe të jenë të funksionueshme. /Nga Alba Kepi - Syri.tv