Greqia dhe Shqipëria nderojnë Kryepiskopin, At Aleksandër Dimroçi: Anastasi ishte një misionar dhe shkencëtar

Krerët më të lartë të shtetit grek ishin të pranishëm mëngjesin e kësaj të diele në Mitropolinë e Athinës, ku u krye liturgjia hyjnore për nder të Kryepeshkopit të Kishës Autoqefale Shqiptare, Anastas. Presidentja e Greqisë, Kryeministri Mitsotakis, kreu i Kuvendit, dhe të gjithë ministrat dhe krerë të partive të opozitës iu bashkuan homazheve.

Në Mitropolinë e Athinës mëngjesin e së dielës u mbajt liturgjia hyjnore për Kryepeshkopin e ndjerë Anastas Janullatos që u nda nga jeta të shtunën në moshën 95-vjeçare.

Në liturgjinë e shenjtë morën pjesë Kryeministri grek Mitsotakis, Presidentja Sakellaropoulou, kryeparlamentari Kaklamanis, ministra të qeverisë greke, kryetari i partisë PASOK, kryebashkiaku i Athinës e kryepeshkopi i Greqisë Ieronimos.

E pranishme është edhe ambasadorja shqiptare në Athinë, por nuk munguan as eurodeputeti Fredi Beleri, si dhe Pirro Dhima.

Për kryepeshkopin Anastas do të ketë homazhe për qytetarët grekë ditën e hënë dhe më pas ai do të transportohet drejt Shqipërisë.

Ndërsa po të dielën edhe në kishat ortodokse në Shqipëri janë mbajtur lutje dhe janë ndezur qirinj për kryepeshkopin Anastas.

Për të mësuar më shumë mbi figurën, jetën dhe veprën e Kryepiskopit të ndjerë Anastas, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte At Aleksandër Dimroçi.

“Është ai që vinte nga një fushë e suksesshme e misionarizmit në kontinentin afrikan, atje ku ai shërbeu në mënyrë të devotshme dhe duke qenë një njeri i përgatitur, një shkencëtar, një historian përvecc se dhe teolog, ishte një figurë e njohur botërore për harmoninë fetare dhe si i tillë Patriarkana Ikumenike, duke pasur parasysh gjendjen e kishës në vendin tonë që ishte e rrënuar totalisht caktoi Imzot Anastasin si të dërguarin e saj për të parë gjendjen në të cilën ndodhej Kisha Orthodhokse në Shqipëri.

Ai erdhi këtu dhe për gati një vit vizitoi shumë vende dhe konstatoi se ishte një kishë tërësisht e shkatërruar. E shkatërruar në kuptimin se ishte një kishë që nuk kishte primatë, klerikë. Dhe si e tillë ajo nuk mund të funksiononte pa pasur një Piskop, nuk kishte madje as klerikë të aftë për ta prezantuar kishën.

Dhe askush nga 15 klerikët që ishin në atë kohë nuk merrnin përsipër të bënin shërbesat.

Pra nuk ishte thjesht mungesa e kishave si godina, por ishte mungesa e kuadrove kishtarë.

Ai ishte fjalë-ëmbël, ishte një njeri që i mbushte me shpresë shpirtrat e njerëzve, ishte një njeri që iu foli në gjuhën shqipe besimtarëve orthodhoksë në fjalën e tij të parë si i dërguari i Patriarkanës”, u shpreh ndër të tjera At Aleksandër Dimroçi.

NDERIMET NË SHQIPËRI

Të hënën pritet që trupi i Janullatos të mbërrijë në vendin tonë .ku dhe do të varroset, siç ka bërë të ditur Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.

Pritja e trupit të kryepeshkopit të ndjerë do të bëhet para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” Tiranë, të martën në orën 16:00. Pas pritjes, homazhet do të mbahen brenda Katedrales gjatë kësaj pasditeje dhe gjatë gjithë ditës së mërkurë, ndërsa përcjellja për në banesën e fundit, do të kryhet paraditen e 30 Janarit në orën 11:00, pas Liturgjisë Hyjnore.

Kryepeshkopi u shtrua në një spital të Tiranës më 30 dhjetor të vitit 2024 për shkak të një virusi sezonal dhe më 3 janar, pasi u përkeqësua, u transferua në spitalin grek.

Janullatos, ndodhej i shtruar i intubuar në Njësinë e Kujdesit Intensiv të “Evangelismos” pas operacionit që iu nënshtrua pasditen e së premtes së 10 janarit, por nuk mundi t’i mbijetojë orëve kritike pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.

Në 1992 u vendos në krye të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, ku punoi për rilindjen e kishës që ishte shkatërruar gjatë 40 viteve persekutimi nga regjimi komunist.

Anastas Janullatos lindi më 4 nëntor të vitit 1929, në një familje besimtarësh ortodoksë në Greqi.

Po ashtu ka qenë kandidat për Çmimin Nobel të Paqes!