Sandra Bullock i rikthehet rolit të polices me “The heat”
Sandra Bullock kthehet në karakterin e saj të preferuar, atë të agjentes së policisë. Pasi ka vënë nën pranga ata që donin t’iu bënin keq shoqeve të saj Misse, Bullock vihet në ndjekje të një bosi mafioz. Për herë të parë në historinë e Hollywoodit një komedi që ka për protagonist një çift policesh krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Premiera botërore e filmit “The heat” ka nisur mbrëmjen e së premtes në kinemanë “Millennium” ne Tiranë.
Komedia e drejtuar nga regjisori Paul Feig ka si protagoniste aktoren Sandra Bullock, fituese e çmimit “Oscar”, dhe aktoren e njohur komike Melissa McCarthy. Sandra Bullock është agjentja speciale e FBI-së, një hetuese metodike me një reputacion shumë të mirë, por edhe me një arrogancë ekstreme. Melissa McCarthy luan rolin e oficeres së Policisë së Bostonit, zaten mjaft e zonja në punën e saj, por që e humb shumë shpejt durimin dhe i ndjek kriminelët duke i besuar instinkteve e inteligjencës së saj.

Kur këto dy agjente të pamposhtura janë të detyruara që të bashkojnë forcat për të ndaluar një bos të pamëshirshëm të kartelit të drogës, do t’u duhet që të luftojnë jo vetëm kundër kriminelëve, por edhe kundër njëra-tjetrës. I cilësuar si “çifti i çuditshëm’ i kinemasë policeske “made in USA” Sandra Bullock dhe Melissa McCarthy (e njohur për rolin e saj në filmin “Bridesmade”) janë vlerësuar si një gjetje regjisoriale, por edhe si një rrezik, që regjisori e ka marrë parasysh, për vetë faktin se të dyja aktoret janë kaq të ndryshme nga njëra-tjetra, po aq sa edhe personazhet që ato interpretojnë. Por, duket se interpretimi i tyre ka krijuar një atmosferë mjaft të mirë në film.